Hapësirat publike në 61 bashkitë e vendit do të kenë internet falas për qytetarët. Në kuadër të Agjendës së Rritjes së Bashkimit Evropian për Shqipërinë, u nënshkrua kontrata e zbaimit të nismës WiFi4WB, pas një procesi paraprak ku bashkitë e vendi u ftuan për të aplikuar. Në total do të jenë 73 pika ku do të ofrohet ky shërbim, pasi në 12 prej qyeteve do të ketë nga 2 hapësira të përzgjedhura.
“Plani i Rritjes po jep rezultate. Ky projekt nuk ka të bëjë vetëm me teknologjinë dhe aksesin. Ka të bëjë me fuqizimin e komuniteteve, me rritjen e mundësive dhe integrimin e rajonit në Tregun Unik Digjital të BE-së”, – tha Silvio Gonzato, ambasador i BE-së në Shqipëri.
Marrëveshja u përshëndet edhe nga përfaqësues të qeverisë shqiptare, të cilën e cilësuan këtë shërbim si tejet të rëndësishëm për qytetarët. “Kjo u jep bashkive dhe komuniteteve tona mundësinë për të ofruar qasje falas dhe me cilësi të lartë në internet në hapësirat publike: sheshe, parqe, biblioteka, shkolla. Nuk është vetëm një investim në modernizimin e shërbimeve publike, por edhe në barazinë digjitale, duke krijuar kushte më të mira për të rinjtë, bizneset e vogla dhe qytetarët që duan të jenë pjesëmarrës aktivë në ekonominë digjitale”, – tha Ervin Demo, ministër Shteti për Qeverisjen Vendore.
“Lidhshmëria digjitale dhe ËiFi falas do t’i fuqizojnë përdoruesit që të përfitojnë më shumë nga transformimi digjital, të kenë qasje dhe të përdorin lirisht shërbimet në rrjet”, – u shpreh Enkelejda Muçaj, zv.ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Nisma WiFi4WB në Shqipëri financohet nga Bashkimi Evropian me 15 milionë euro dhe është bashkëthemeluar nga qeveria gjermane me 1.5 milionë euro, në kuadër të projektit EU4Digital të zbatuar nga GIZ.