Gjatë vitit 2024, skema e Ndihmës Ekonomike u përball me një ulje të ndjeshme të përfituesve, duke lënë pas shumë familje në nevojë pa mbështetjen që u takonte.
Sipas raportit të fundit të Shërbimit Social Shtetëror, arsyeja është se njësitë vendore shpesh dështuan në verifikimin në banesë të familjeve përfituese, duke bërë që shumë aplikime të mbeteshin pezull ose të refuzoheshin padrejtësisht.
Shifrat tregojnë se ndihmë ekonomike morën 53.534 familje/individë, kryesisht në qarqet më të varfra të vendit: Dibër, Kukës, Elbasan dhe Korçë.
Sipas raportit, 271 familje u larguan nga skema pas refuzimit të tre ofertave për punësim, ndërsa 1.257 familje mbeten të përfshira për shkak të problematikave sociale, ekonomike ose shëndetësore. Një tjetër grup prej 656 familjesh është ende në pritje të ofertave të punësimit.
Personat me aftësi të kufizuar janë përkujdesur pjesërisht: nga 5.901 individë referuar si kategori PAK, vetëm 328 janë punësuar dhe 143 janë drejtuar drejt formimit profesional. Një statistikë që tregon qartë sfidat e një sistemi që premton shumë, por shpesh nuk arrin të përmbushë pritshmëritë.