Një 32-vjeçar shqiptar u arrestua pasditen e së martës pasdite (7 tetor) pas një ndjekjeje policore në Maroussi të Greqisë. Sipas protothema.gr, shqiptari është me precedentë të shumtë kriminalë.
Sipas informacioneve, i arrestuari ka rënë në duart e autoriteteve 10 herë për vepra të ndryshme penale, ndërsa atij i është ndaluar edhe hyrja në Greqi.
E megjithatë, ai ka arritur që të lëvizë i lirë në Maroussi, deri në arrestimin e tij pasditen e djeshme kur u kap nga policia duke drejtuar një makinë të vjedhur.
Ajo që ndodhi më pas ishte si një film aksion. Rreth orës 14:10, oficerët e policisë i njoftuan për një tentativë vjedhje në Rrugën Mesogeion.
Oficerët mbërritën në vendngjarje ku, pas kontrollit, vunë re një automjet të dyshimtë në Rrugën Neratziotissis dhe i bënë thirrje për t’u ndalur.
Por, shoferi shqiptar u largua me shpejtësi ndërsa efektivët iu vendosën në ndjekje deri në kryqëzimin e Folegandros dhe Smyrnis, ku 32-vjeçari braktisi automjetin dhe iku me vrap.
Më pas, pasagjeri i tij mori drejtimin e makinës dhe u largua. Policia greke iu vendos në ndjekje në këmbë shqiptarit dhe, me ndihmën e një oficeri policie jashtë detyrës, ai u ndalua e u arrestua.
Mjeti i vjedhur u gjet më vonë parkuar në rrugën Iras. 32-vjeçari shqiptar që u arrestua akuzohet për tentativë vjedhjeje dhe mosbindje, ndërsa pasagjeri është ende në kërkim.