Ballina Editorial Në fillim ishte fjala, pastaj urrejtja!

Në fillim ishte fjala, pastaj urrejtja!

26
0

Nga Lutfi Dervishi

Në fillim ishte fjala. Por fjala nuk ishte thikë. Nuk ishte plumb. Nuk ishte urdhër për vrasje. Nuk ishte urim për vrasësin.

Në përrenjtë e rrjeteve sociale, fjalët rrjedhin si uji i turbullt që nuk pasqyron më blunë e qiellit apo të gjelbrën e pemëve, por baltën e shpirtit.

Çdo koment i shkruar me mllef, i mbushur me shpifje dhe zemërim është një gur digjital që godet. Fjala vret më shumë se plumbi – thotë populli.

Kanuni, libri i ashpër i maleve, që shpesh keqpërdoret për të justifikuar dhunën, ka një nyje që sot do duhej të lexohej me zë të lartë: Nyja 86.

“Aj qi shkon tuj mjellë e tuj hapë fjalë të kqija e gergasa herë per njânin, herë per tjetrin, me gojë të kanûnit thirret “Argat i keq”. -“As e thrret kush në pûnë, as i nep kush rrogë”.

Sot, argati i keq nuk punon në arë, por në kopshtin e komenteve. Ai është linçuesi digjital që i shpërndan farat e helmëta të shpifjes dhe urrejtjes. Paga e tij është kliku, lajku dhe zemërimi/aprovimi i turmës.

Në këtë vorbull, ndodh edhe një tjetër ngatërresë: populli dhe turma. Me demek, shihni se “unë jam me popullin”, “Unë po qaj hallin e popullit”.

Populli kërkon drejtësi, turma kërkon gjak.

Populli flet, turma ulërin.

Populli mendon e reflekton, turma ndjek e shkreton.

Populli ndëshkon dhe shpërblen me votë, turma lajkaton dhe shet votën.

Populli bashkohet rreth një ideje, programi, qëllimi, turmën e bashkon emocioni, frika, zemërimi.

Populli kërkon të kuptojë, turma të shpërthejë.

Dhe kur turma e veshur me avatarë virtualë del për gjah, urrejtja kthehet në argëtim.

Pasojat janë të dukshme: mjaft që të hapësh sytë: shoqëri që nuk beson më te askush, as të xhaketa e vet, individë që shohin armiq kudo, “intelektualë” që ende besojnë te Katovica dhe gjenerata që mësohen se zemërimi është virtyt dhe gjykatësit popullorë digjitalë janë heronjtë e kohës.

Kur mbjell erë, korr furtunë. Kur ushqen gjuhën e dhunës, korr dhunë. Dhe kur vret fjalën, përgatitu për mort.

Në fund: çfarë korrim nga kjo arë digjitale që e mbjellim çdo ditë me mllef? Fjala, njësoj si fara, mbin. Dhe nëse vazhdojmë të kultivojmë gjuhën e egër, ferrat e saj nuk do të vonojnë t’i çjerrin të gjithë, duke e lënë shoqërinë në një djerrinë pa besim dhe pa fjalë.