Ballina Opinion Kandidati i Pavarur, maskimi i mëkatit politik si virtyt moral!

Kandidati i Pavarur, maskimi i mëkatit politik si virtyt moral!

17
0

Nga Arian Galdini

“Çdo epokë ka maskën e saj. E jona nuk është ajo e tiranëve që urdhërojnë, por e butësisë së simuluar që bashkëpunon.” — Hannah Arendt
Kandidati i pavarur, dikur simbol i ndershmërimit dhe i reagimit qytetar, është sot maska më e rafinuar e rikthimit të regjimit.
Çdo herë që sistemi ndjen rrezik, prodhon një figurë “të pavarur” që, në vend që të sfidojë, e sterilizon revoltën.
Kjo është formula më e sofistikuar e epokës sonë, zhbërja e opozitës reale në emër të moralit artificial.
Kandidati i pavarur nuk është projekt shpresë, por teknikë neutralizimi.
Ai vjen si i “asnjëanshëm”, por në fakt është i dizenjuar për të fshehur lidhjet reale të pushtetit.
Çdo kandidaturë e tillë, e pompuar nga media, e lavdërur nga partitë, e mbështetur nga figura publike që ruajnë status quo-në, është vetëm një instrument diversionist.
Nga Gracian tek Solzhenicyn, tradita e demaskimit
Baltasar Gracian thoshte se “në të vertetën e maskuar, mëkati nuk largohet, thjesht zbukurohet”.
Aleksandr Solzhenicyn, në librin e tij të pavdekshëm “Arkhipelagu Gulag”, na kujton se regjimet më cinike nuk ndëshkojnë zërave të vërtetë, por i klonojnë ata.
Njësoj si regjimi i sotëm, që përballë revoltes qytetare, nuk ofron shtypje klasike, por zgjedh manipulimin estetik të opinionit, çdo ndërgjegje e pastër, zëvendësohet me klonin e saj mediatik.
Kandidati i pavarur është kjo, një zë i prodhuar në laborator, i destinuar për të mbuluar realitetin me pamje simpatie.
Taktika e krijimit të antitrupave, analizë e mekanizmit
Kur sistemi ndjen rrezik, ai nuk e lufton opozitën reale.
Ai e parandalon duke krijuar antitrupa. Kandidati i pavarur është antitrupi që trupi i infektuar i regjimit prodhon kundër së mirës.
Këta kandidatura, të reklamuar si zgjidhje, janë në fakt vaksina që mësojnë trupin qytetar të mos reagojë më kurrë.
Janë kandidatura pa rrënjë, pa histori, pa betejë.
Janë si tezat gjenetikisht të modifikuara që sjellin shpresë sterile.
Nga Burke tek Scruton, konservatorizmi kundër simulakrës
Edmund Burke, filozofi i madh i konservatorizmit, na paralajmërinte se rreziku më i madh nuk vjen nga tirania, por nga teatraliteti i saj i ri.
Qytetarët, thoshte ai, nuk duan qeveri të “pastër”, por institucione të ndershme me kujtesë.
Kandidati i pavarur është gjithmonë pa kujtesë, pa rrënjë, pa trashëgimi, pa bosht.
Roger Scruton e thoshte qartë: “E djathta nuk është reagim ndaj krizës, është kujtesa në krizë”.
Kur të gjithë shfaqin “zgjidhje të reja”, i djathti duhet të shfaqë qartësi të vërtetash.
Sot, kandidati i pavarur është figura më e korruptuar e politikës sepse nuk ka asnjë strukturë mbi të cilën të mbahet në përgjegjësi.
Ai nuk mban parti, nuk mban program, nuk mban histori. Mban vetëm imazh.
Dhe imazhi është forma më e paskrupullt e mohimit të së vërtetës.
Ai nuk rren me fjalë. Mashtron me simpati.
Shfaqja e përsosur e rrenës
Në kohën e post-politikës, tallja më e madhe me qytetarin nuk është demagogjia. Èshtë neutraliteti i rremë.
Kandidati i pavarur nuk është alternativë. Èshtë asgjësimi i alternativës.
Në pamjen e tij të butë, ne po shohim fytyrën e re të regjimit, një regjimi që nuk shtyp me dhunë, por me përqafim.
Vetëm e djathta e vërtetë mund ta shpërfaqë këtë farsë me gjuhën e moralit, të traditës, të kujtesës dhe të kuptimit.
Sepse aty ku të gjithë gjejnë risi, e djathta kujton përse u ndërtuan institucionet, për të ruajtur njeriun nga vetja.
Ndaj, detyra jonë nuk është të bashkëpunojmë me pavarësinë e rreme, por ta dëshmojmë të vërtetën pa maskë.
Ajo që ngjan si liri, është kontroll.
Ajo që duket si pavarësi, është riprodhim i sistemit.
E vetmja rrugë përtej farsës, është e vërteta që nuk shitet.
Dhe e vërteta, sot, flet me zë të qartë, kandidati i pavarur, është gënjeshtra më e madhe e regjimit të butë.