Ballina Slider “Kurthi” i Dukës për Sylvinhon kundër Serbisë dhe standardi i dyfishtë me...

“Kurthi” i Dukës për Sylvinhon kundër Serbisë dhe standardi i dyfishtë me trajnerët e Kombëtares

0
17

Asnjë trajner i kombëtares shqiptare në epokën e Dukës, sado i suksesshëm të ketë qenë ai, nuk ka zgjatur më shumë se dy “mandate”. Një fat i tillë e pret edhe Sylvinhon, i sponsorizuar fort nga Edi Rama, madje edhe gjysmën e rrogës ia paguan qeveria me një VKM nga ato që edhe juristët më të zotë nuk i shpjegojnë dot.
E megjithatë, aventura e brazilianit është në finish. Njerëzit në FSHF e dinë se Duka nuk e donte Sylvinhon në këtë fushatë eliminatoresh, por kualifikimi në Europian dhe halli për të mos i prishur qejfin shefit të qeverisë, vendosi të luajë “kokë a pil”, pa i ardhur keq nëse ky brez lojtarësh që rrallë i vjen Shqipërisë, mund të meritonte një trajner më ekspert për të bërë hapin cilësor. Prandaj edhe në këtë fushatë eliminatoresh botëror, entuziazmi nuk është ai i europianit. Skuadra ka humbur shkëlqimin, lojtarët që bënin diferencën (Asani dhe Bajrami) janë fikur, Broja luan çuditërisht si mesfushor krahu dhe ka dy vite që nuk shënon, ndërsa futbollistë si Muçi apo Mehmeti kanë dalë jashtë planeve.

Në një klimë të tillë, Duka po mendon për trajnerin e ri dhe ka deklaruar së fundmi se “nëse Shqipëria nuk shkon në Botëror, atëherë gjërat mund të ndryshojnë” pas këtyre kualifikuesve. Mirëpo që Shqipëria të shkojë në Botëror duhet të bëjë një kthesë të jashtëzakonshme. Kuqezinjtë sot vërtetë janë të dytët në grup (8 pikë), por Serbia e vendit të tretë me një pikë më pak, ka edhe një ndeshje më pak.
Praktikisht, Shqipëria e ka si finale më 11 tetor në Leskovac, por edhe nëse fiton, sërish nuk e ka të sigurt kualifikimin. Vendi i dytë në grup, maksimumi të çon në play off, por nuk të kualifikon direkt. A e di Duka këtë? Padyshim që po.

Mirëpo t’i thuash opinionit publik se “trajneri duhet të na çojë në botëror që të sigurojë automatikisht rinovimin, dhe ta bësh këtë para një ndeshjeje me Serbinë në fushën e kësaj të fundit, është një lloj kurthi i kopjuar nga politika. Pra nëse bën “mrekullinë”, ia kemi dalë bashkë, por në të kundërt “paguan” trajneri.

Dhe për të kuptuar se çfarë standardesh përdor Duka me trajnerët e kombëtares, mjafton të shikoni se si trajton Alban Bushin që drejton ekipin Shpresa për 11 vitesh. Po, prej 11 vitesh dhe skuadra U-21 nuk është kualifikuar kurrë në një kompeticion të rëndësishëm, por Bushi e ka pasur gjithnjë në “xhep” rinovimin. Pa i dhënë llogari askujt. Ndërsa Sylvinhos nuk i mjafton kualifikimi në Europian. Duhet të na çojë në Botëror…