Ballina Kulturë Ministria e Kulturës “nderon” arkeologun që e quajti Shqipërinë “shtet artificial” dhe...

Ministria e Kulturës “nderon” arkeologun që e quajti Shqipërinë “shtet artificial” dhe Butrintin “rastësi historike”

50
0

Studiuesi Auron Tare, ka reaguar ashpër pas aktivitetit të sotëm të Ministrisë së Kulturës, ku u ftua dhe u nderua publikisht Prof. Richard Hodges, drejtuesi i Misionit Arkeologjik në Butrint.

Tare kujton se Hodges është bërë i njohur në opinion pas një videoje të publikuar së fundmi nga ligjëratat e tij në universitetet amerikane, ku ai deklaron se:

“Butrinti rastësisht i mbeti Shqipërisë”,
“Shqiptarët përzunë grekët nga jugu në vitin 1913”,
dhe se “Shqipëria është një shtet artificial i krijuar nga një politikan britanik”.

“Sigurisht që çdo studiues ka të drejtën të ketë mendimin e vet,” shkruan Tare, “por kur një personazh kaq hapur anti-shqiptar pritet dhe nderohet nga Ministri i Kulturës, lind pyetja: a ndan edhe ministri të njëjtin mendim me mikun që e nderoi sot?”

Ky reagim ka hapur debat në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë e kanë cilësuar “të papranueshme” që një figurë me deklarata të tilla për historinë dhe identitetin shqiptar të ftohet në një aktivitet zyrtar.

Ndërkohë, Ministria e Kulturës nuk ka reaguar ende për akuzat e Tares.