Ballina Opinion 100 herë faleminderit UDB

100 herë faleminderit UDB

28
0

Nga Andi Bejtja 

Jo pak kolegë gazetarë që kaluan kufirin me Serbinë, përveç se dhe publikisht, më marrin në telefon dhe tregojnë me zemërim se si u kontrolluan fije për fije nga policia serbe deri dhe në trup, sesi u mbajtën 4 orë, etj. etj., duke dalë në konkluzionin se kështu duhet t’ia bëjmë dhe ne gazetarëve serbë kur vijnë në Shqipëri, kështu duhet të sillet dhe policia jonë, për të vazhduar që nuk kemi shtet, etj. etj.

O Zot, shyqyr që jemi ndryshe! E them fare hapur dhe merreni daç për ters, dac jo, më mirë pranoj një polic që të merr dhe ndonjë paketë cigare kur kalon kufirin, se një polic që me urdhër të pashkruar të mban në shenjë represioni me orë të tëra kot e më kot…

Dy herë më shumë shyqyr që jemi ndryshe!

Dhe kur vijnë shqiptarë nga Beogradi me xhama të thyer makinash, ndërsa në Tiranë serbëve jo vetëm nuk u preket fija e flokut, madje me ndonjë kioskë periferike në Tiranë kapin dhe ndonjë Lepa Brenë në sfond… Trefish shyqyr që jemi ndryshe! Nuk kam qenë ndonjëherë më shumë krenar në jetën time kur, në një mision faktmbledhës në Kosovë, projekt i Kombeve të Bashkuara bashkë dhe me 7 gazetarë të tjerë ndërkombëtarë, futëm në raportin final fjalinë e artë: “UCK, ndryshe nga serbët, në çdo situatë sado të ndërlikuar lufte, nuk preknin gra dhe fëmijë.”

E shikon, be vlla, sa mirë që jemi ndryshe! Kujtoj pas viteve ’90 një grup patriotësh e shqiptarësh të vërtetë që tentuan të bënin në Akademinë e Shkencave një kundër-projekt “Çubrilloviq”… nuk u realizua… pati dhe shkrime që UDB financoi për mos t’u bërë… Po që e vërtetë, i them me plot gojën: Faleminderit UDB!

100 herë, be vlla, shyqyr që jemi ndryshe!

1000 herë shyqyr që jemi ndryshe!

P.S.: Dhe diçka… ndaloni presionin që i bëni këmbëve të futbollistëve, duke u varur në këmbë si gjyle folklorikisht, asimetrikisht dhe padrejtësisht gjakun e Adem Jasharit, UÇK-së, nënat me barkun e çarë, etj. etj. Lëreni Albinin ta bëjë këtë punë. Jam i sigurt se dhe po të ishte gjallë Çerçiz Topulli, do thoshte shkurt dhe shqip: “Me turqit merrem vetë, lërini djemtë e mi të luajnë futboll!”