Ismail Morina i njohur si Ballisti, shqiptari që ngriti flamurin “Autochthonous” në Beograd, 11 vite më parë gjatë ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë, sot ka vendosur ta ndjekë këtë ndeshje nga Prizreni. Nga një foto të publikuar Ballisti shkruan “Nga Prizreni, në kryeqytetin e Shqiptarisë”.
Ismail Morina (i njohur si Ballisti) ngriti një dron mbi stadium. I riu shqiptar udhëtoi nga Italia ku banonte dhe prej orësh rrinte në pritje të shpalosjes së flamurit “Autochthonous”, ku ishin disa nga heronjtë kombëtar. Me ‘Shqiponjat’ që erdhën nga lart, serbët nuk u përmbajtën dhe koret raciste që nisën që në nisje të ndeshjes, u shtuan.
Marrja e flamurit nga lojtarët serb solli një përleshje mes futbollistëve në fushë, teksa tifozët thyen hekurat (edhe me lejimin e policisë) dhe u futën në fushë duke dhunuar lojtarët tanë. Fotoja simbolike e karriges në kokën e Bekim Balajt, apo edhe grushti i dhënë nga Lorik Cana mbeten në memorie edhe pas afro 11 vitesh.
Në të tilla kushte nuk bëhej fjalë për futboll dhe Martin Atkinson i dërgoi futbollistët në dhomat e zhveshjes. Peripecitë për tanët nuk u ndalën këtu, pasi policia dhe ushtria serbe kërkonin atë që lëshoi dronin në çantat e futbollistëve dhe zyrtarëve të ekipit tonë, pa e ditur se gjithçka u orkestrua nga aty pranë, me Ismail Morinën që u ngjit në kambanoren e kishës së “Kryeengjëllit Gabriel” dhe ‘lëshoi Shqiponjën mbi Beograd’.
Pas orësh kontrollesh, futboll më nuk mund të luhej dhe ndeshja u ndërpre për të mos nisur kurrë, por në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë ankthi ishte për lojtarët. Kur u mësua se avioni me delegacionin kuqezi la Beogradin, mijëra tifozë dolën në orët e para ta 15 tetorit 2014 në aeroportin “Nënë Tereza” për të pritur djemtë që mbijetuan nga ‘ferri serb’.
CAS – Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) e dërgoi çështjen në CAS dhe drejtësia sportive e Lozanës i dha fitoren 0-3 në tavolinë ekipit tonë, me këto tri pikë që ndikuan ndjeshëm që pas këtyre kualifikueseve kuqezinjtë të siguronin finalet e “Francë 2016” për herë të parë në histori.