Ballina Lifestyle Bletët e egra, në rrezik zhdukjeje/ Numri i specieve të rrezikuara të...

Bletët e egra, në rrezik zhdukjeje/ Numri i specieve të rrezikuara të bletëve të egra në Evropë është dyfishuar në një dekadë

19
0

Numri i specieve të bletëve të egra në Evropë që janë në rrezik zhdukjeje është dyfishuar, gjatë dekadës së fundit. Gjendja është gjithashtu alarmante për fluturat, numri i të cilave në rrezik është rritur ndjeshëm, duke u afruar gjithashtu me dyfishimin.

Këto të dhëna shqetësuese janë bërë publike përmes vlerësimeve shkencore të kryera nga Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), në kuadër të Listës së Kuqe të specieve të kërcënuara.

Sipas studimit, nga gjithsej 1,928 specie bletësh në Evropë, të paktën 172 janë në rrezik zhdukjeje. Në të njëjtën kohë, numri i fluturave të rrezikuara është rritur nga 37 në 65 që nga vlerësimi i fundit i bërë para 14 vitesh. Një nga speciet, flutura e bardhë e madhe e Madeirës (Pieris uollastoni), është tashmë shpallur e zhdukur.

Grethel Aguilar, drejtoreshë e përgjithshme e IUCN-së, thekson se përtej bukurisë së tyre, pjalmuesit si bletët dhe fluturat janë thelbësorë për shëndetin tonë, sigurinë ushqimore dhe ekonominë, pasi ata mbajnë në jetë sistemin natyror që prodhon fruta, perime dhe fara. Por, sipas vlerësimeve të fundit, këto organizma janë përballë kërcënimeve serioze dhe në rënie të shpejtë.

Rënia e tyre vjen si pasojë e një sërë faktorësh, përfshirë shkatërrimin e habitateve të tyre për shkak të intensifikimit të bujqësisë, braktisjes së tokave bujqësore, tharjes së kënetave, mbigrazhimit nga bagëtitë, si dhe përdorimit të pesticideve dhe plehrave kimike, përfshirë edhe neonicotinoidet. Gjithashtu, fragmentimi i zonave të përshtatshme për pjalmuesit rrit rrezikun, që popullatat të zhduken në mënyrë të izoluar.

Ngrohja globale paraqet një kërcënim shtesë të madh. Sipas raportit, 52% e fluturave të rrezikuara në Evropë janë tashmë të kërcënuara nga ndryshimet klimatike – dy herë më shumë se sa një dekadë më parë. Këto ndryshime po prekin habitatet, duke i ngushtuar ose zhdukur ato, sidomos për speciet që jetojnë në male apo rajone të ftohta.

Dr. Denis Michez, koordinatori kryesor i vlerësimit për bletët e egra, paralajmëron se popullatat e bletëve të egra janë në rënie të shpejtë dhe nuk mund të zëvendësohen lehtësisht nga bletët e kultivuara. Nëse ato zhduken, shumë bimë të egra do të jenë në rrezik, përfshirë livadhet me lule dhe speciet e rralla si orkidetë.

Disa specie të veçanta janë tashmë në prag të zhdukjes. Pesëmbëdhjetë specie të brumbujve pjalmues (bumblebee), që luajnë rol kyç në pjalmimin e bishtajoreve si bizelet dhe fasulet, si dhe katërmbëdhjetë specie të bletëve celuloze (cellophane bees), që pjalmojnë pemë si shelgu dhe panja e kuqe, janë klasifikuar si të kërcënuara.

Një specie e rrallë e ‘bletës minierë’, Simpanurgus phyllopodus, unike për kontinentin evropian, është tani në kategorinë “kritikisht e rrezikuar”, pra një hap larg zhdukjes së plotë në natyrë.

Fluturat që jetojnë në majat e maleve janë gjithashtu shumë të rrezikuara nga ngrohja globale, pasi janë të detyruara të zhvendosen gjithnjë e më lart për të qëndruar në klimën e ftohtë që u përshtatet, derisa një ditë të mos kenë më ku të shkojnë.

Në Spanjën jugore, për shembull, flutura Nevada grayling dhe Andalusian anomalous blue janë mes më shumë se 40% të specieve endemike evropiane, që ndodhen në rrezik.

Në Mesdhe, flutura si Karpathos grayling përballen me rreziqe nga thatësirat ekstreme dhe zjarret, ndërsa në Arktik, ngrohja globale po shkakton përparimin e pyjeve drejt veriut, duke pushtuar habitatet tradicionale të fluturave të ftohta. Kjo ka sjellë kërcënimin e tetë specieve të fluturave në këtë rajon, përfshirë Freyja’s fritillary dhe Arctic ringlet.

Martin Uarren, një nga koordinatorët kryesorë të vlerësimit për fluturat, thekson se habitatet më të rëndësishme për pjalmuesit janë livadhet e pasura me lule, të cilat po zhduken me shpejtësi në gjithë Evropën.

Sipas tij, megjithatë, ka arsye për shpresë pasi ndërgjegjësimi është rritur dhe Bashkimi Evropian, përmes legjislacionit për restaurimin e natyrës, si dhe është vendosur rregull, që çdo shtet anëtar duhet të ndalojë rënien e pjalmuesve deri në vitin 2030.

Sipas Uarren, ekzistojnë edhe mënyra të thjeshta për të ndihmuar, siç është krijimi i brezave me lule rreth arave bujqësore – masa që nuk ndikojnë negativisht në prodhimin ushqimor dhe madje mund ta përmirësojnë atë.

Jessika Rosuall, komisionere e BE-së për mjedisin, e përshkroi gjendjen e bletëve të egra, fluturave dhe pjalmuesve të tjerë si “tejet të rëndë” dhe kërkoi veprim urgjent dhe të përbashkët për të përballuar këtë krizë.

Ajo theksoi se Komisioni Evropian ka ngritur një sistem monitorimi për pjalmuesit në të gjithë BE-në, bazuar në rregulloren për restaurimin e natyrës, i cili do të ndihmojë për të matur progresin.

Publikimi i këtyre vlerësimeve për bletët dhe fluturat vjen pas një studimi të parë në nivel evropian mbi mizat hoverfly, një tjetër grup i rëndësishëm pjalmues. Ky studim, i publikuar në vitin 2022, tregoi se 37% e specieve të hoverfly janë gjithashtu në rrezik zhdukjeje.