Dy turistë nga Zvicra, të cilët kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit në zonën malore të Shebenikut, janë shpëtuar pas një operacioni nga Policia e Librazhdit dhe punonjësit e zonave të mbrojtura.
Sipas njoftimit zyrtar, Komisariati i Policisë Librazhd mori sinjalizimin se një çift turistësh ishte dezorientuar dhe kishte humbur rrugën në territorin e Parkut Kombëtar “Shebenik–Jabllanicë”. Shërbimet e policisë reaguan menjëherë, duke u nisur drejt zonës së thellë malore për të lokalizuar çiftin.
Në ndihmë të kërkimeve u angazhuan edhe punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, të cilët ndihmuan në orientimin në terrenin e vështirë.
Pas disa orësh kërkimesh, turistët u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore dhe u shoqëruan të sigurt drejt zonës së banuar.
Dy shtetasit zviceranë shprehën mirënjohjen e tyre për reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin e treguar nga Policia e Librazhdit dhe strukturat mbështetëse të zonës.