Ballina Politika Finalja e konkursit ndërkombëtar për Parkun e Besimit, Rama: Transformojmë hapësirën përmes...

Finalja e konkursit ndërkombëtar për Parkun e Besimit, Rama: Transformojmë hapësirën përmes gjelbërimit

20
0

Në Petrelë po zhvillohet sot finalja e garës ndërkombëtare për Parkun e Besimit (Faith Park), një parku i ri unik, ku besimet do të shihen e shijohen përmes pemëve, frutave e luleve të përmendura në shkrimet e shenjta.

Kjo garë ndërkombëtare mbledh në Tiranë 12 finalistë nga Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda, Italia, për të prezantuar propozimet e tyre për këtë park.

Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, kryeministri Edi Rama vlerësoi rëndësinë e këtij parku parku, i cili sipas tij “nuk është simbol i fesë, por është një foltore adhurimi”.

“Jemi mbledhur në këtë vend që dikur formësohej nga gjuha e ashpër e urdhrave, e divizioneve të kazermave ushtarake, një vend ku uniformiteti marshonte shumë më fort se sa uniteti. Kemi besim se së shpejti do të kemi mundësi që të hapim këtë hapësirë për një qëllim krejt të ndryshëm dhe aktivitete krejt të tjera për njerëz krijues të talentuar dhe për këdo që na viziton e kërkon ta shohë këtë hapësirë”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se “po mendojmë në terma konkrete përballë dhjetëra projekteve për të ardhmen e një zone të tërë përreth që do të bëhet Parku i Besimit”.

“Ky është shumë më tepër sesa ndryshimi i një hapësire. Besoj që është një transformim kuptimplotë dhe nuk ka të bëjë me fshirjen e së shkuarës, por me marrjen në shërbim të saj. Duam të mbjellim pemë, të mbjellim shpresë e vazhdimësi. Parku i Besimit nuk është simbol i fesë. Krejt tjetër, është një foltore adhurimi që nuk bën pyetje se çfarë besoni, vetëm ju fton të vini të mrekulloheni tek qëndresa e heshtur e pemëve të fikut, të vini re formën e pemëve të ullirit në erë dhe të kuptoni atë çfarë kuptuan paraardhësit tanë, se  zhvillimi nuk ishte thjesht një sfond, ishte në fakt shkrim i shenjtë”, shtoi Rama.