Ballina Aktualitet Kryeprokurori i dosjeve të ‘nxehta’ drejt ikjes, profilet e 4 kandidatëve që...

Kryeprokurori i dosjeve të ‘nxehta’ drejt ikjes, profilet e 4 kandidatëve që synojnë vendin e Altin Dumanit në SPAK

47
0

Më 18 dhjetor, Altin Dumani, do të duhet të lerë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, pas një mandati 3-vjeçar, gjatë të cilit përfunduan nën hetime figura nga më të larta të politikës në vend, si dhe disa nga organizatat më të rrezikshme kriminale në vend.

Në garë, për të marrë stafetën janë katër kandidatë, të gjithë prokurorë aktualë të SPAK, me karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe të angazhuar në çështje me ndjeshmëri të lartë. Kandidatët pritet t’i nënshtrohen një procesi të hapur përmes intervistave publike dhe vlerësimeve nga KLP, ku do të merret parasysh përvoja e tyre profesionale, integriteti, vizioni dhe aftësia për të drejtuar një institucion që ndodhet nën vëmendjen më të lartë publike.

Por kush janë kandidatët?

Adnan Xholi

Adnan Xholi është një nga kandidatët me përvojë të gjatë, i emëruar për herë të parë në vitin 2004. Aktualisht, ai shërben si prokuror në SPAK dhe mban edhe detyrën e shefit të Seksionit të Krimit të Organizuar, një rol kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të strukturuar. Kjo është hera e dytë që Xholi kandidon për kreun e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Së bashku me Altin Dumanin dhe Elvin Kondilin ai kandidoi edhe në vitin 2022 kur mori vetëm votën e një prej anëtarëve të KLP-së, Sokol Stojanit. Xholi ka hetuar shumë nga dosjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai ishte një nga prokurorët që hetoi Fredi Belerin për korrupsion zgjedhor. Më pas ka hetuar dhe zbardhur atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në nëntor të vitit 2019, dosje kjo që në sajë edhe të zbërthimit të komunikimet në SkyECC ka prodhuar edhe dy dosje të tjera ku është ekspozuar aktiviteti kriminal i grupit në fushën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike por edhe rivalitetin e grupeve kriminale në Durrës, që kanë sjellë shumë viktima.

Klodian Braho

Klodian Braho, i emëruar prokuror në vitin 2007, është po ashtu prokuror pranë SPAK që në krijimin e tij. Aktualisht mban detyrën e shefit të seksionit kundër korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme. Ai ka patur një rrugëtim të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në hetimin e rasteve të korrupsionit. Braho është prokurori, i cili ka hetuar inceneratorin e Elbasanit, duke nxjerrë urdhër arresti për shumë persona mes të cilëve, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe duke ndarë hetimin për ish zv/kryeministrin Arben Ahmetaj. Braho ka hetuar gjithashtu dosjen 5D duke dërguar në gjyq ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Një tjetër dosje e hetuar dhe e dërguar në gjyq nga prokurori është edhe ajo e njohur si “Toyota Auris” ku janë të përfshirë edhe shumë njerëz të drejtësisë. Kjo dosje është e ndarë në disa fraksione dhe janë duke u hetuar edhe pjesë të tjera të saj. Gjithashtu Klodian Braho është pjesë edhe e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, tashmë në proces gjyqësor, nën akuzën për “shpërdorim detyre” në lidhje me rolin e tij si ministër në masakrën e Gërdecit.

Elvin Gokaj

Një nga prokurorët me përvojë në këtë garë është edhe Elvin Gokaj, i cili ka nisur karrierën e tij në dhjetor të vitit 2000. Ai ka qenë pjesë e SPAK prej kohësh dhe ka kontribuar në hetime të shumta me ndikim të lartë. Ndër çështjet e hetuara dhe të dërguara në gjyq prej tij, është dosja “Buka” ku është marrë i pandehur ish-ministri i Ekonomisë dhe infrastrukturës Arben Ahmetaj. Gjithashtu Gogaj ka hetuar edhe kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyraj në lidhje me abuzimet në disa tenderë. Akuza ka të bëjë me tenderin për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 58.7 km dhe me vlerë 2.29 milionë euro. Për këtë procedurë prokurimi krahas Jonaid Myzyrajt, janë marrë të pandehur edhe 10 persona të tjerë, 7 prej të cilëve të akuzuar për shkelje e barazisë në tenderë publikë, kryer në bashkëpunim.

Doloreza Musabelliu

Ndërsa Doloreza Musabelliu, e emëruar në tetor të vitit 2004, është prokurore në SPAK dhe ka një rol të rëndësishëm në strukturën e Prokurorisë së Posaçme. Ajo është një nga prokuroret që ka qenë pjesë e grupit të kanë hetuar dosjen e “Plumbi i Artë” ku tre bashkëpunëtor të drejtësisë kanë zbuluar me dhjetëra krime ndër vite në Shqipëri, të cilët deri tani janë konsideruar si ngjarje pa autor. Një tjetër dosje e hetuar nga prokurorja është edhe masakra e ndodhur në qendër të Lushnjës në 2017, ku u kërkua “burgim i përjetshëm” për Leart Haxhiun dhe dy shokët e tij Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.