Ballina Politika “Mburrja Ramës për arsimin, fasadë për të fshehur kolapsin”/ Sula: Shumica e...

“Mburrja Ramës për arsimin, fasadë për të fshehur kolapsin”/ Sula: Shumica e shkollave s’kanë internet, kompjuterë dhe laboratorët

37
0

Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula, tha se mburrja e kryeministrit Edi Rama për mësues të kënaqur është një fasadë sipas saj, për të fshehur kolapsin në terren.

Ajo theksoi se arsimi digjital është vetëm në letër, pasi sipas saj, në shumicën e shkollave në vend mungon interneti, kompjuterët dhe laboratorët

“Në pyetësorin TALIS (Anketa Ndërkombëtare e Mësimdhënies dhe të Nxënit), 52% e mësuesve shqiptarë janë shprehur se kanë përdorur inteligjencën artificiale gjatë vitit 2024, ndërkohë që mesatarja për vendet e OECD, është 36%.

Në fakt, askush nuk mund të besojë se mësuesit tanë kanë lënë shumë vende mbrapa mësuesit në Austri, Holandë, Norvegji, Belgjikë, Finlandë, Shtetet e Bashkuara vende të zhvilluara që përdorimin e inteligjencës artificiale e të programeve për progresin digjital e kanë bërë pjesë normale të procesit mësimor.

Duhet të mbajmë parasysh se TALIS bazohet në plotësimin e anketës nga ana e mësuesve, jo në testime të aftësive të tyre, nga ana tjetër vetëraportimi është subjektiv, sa edhe i orientuar e nën mbikëqyrje për të plotësuar anketën ashtu siç duan eprorët.

Arsimi digjital është vetëm në letër, ndërsa mburrja e kryeministrit me tamtame për mësues të kënaqur me profesionin, për mesataren e lartë të mësuesve që përdorin IA është tjetër fasadë qeveritare për të fshehur kolapsin në terren.

-shumica dërrmuese e shkollave s’kanë as internet, as kompjuterë, as laboratorë funksionalë.

– Lënda e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit nuk zhvillohet fare as në ciklin 9-vjeçar, as në atë të mesëm. Nxënësit e dorëzojnë librin në fund të vitit shkollor të papërdorur ashtu siç e kanë marrë në fillim të tij.

-Lëndën e TIK-ut e zhvillojnë mësues që nuk janë diplomuar në fushë të teknologjisë dhe të informacionit por në degë të tjera, si dhe mësues që nuk plotësojnë ngarkesën mësimore.

Mësuesve tanë me ç’duket u është kërkuar të përfshijnë edhe përdorimin e celularit dhe të grupeve të ËhatsApp-it, sepse ata vetë e dinë po aq mirë sa nxënësit e prindërit dhe shoqëria se më shumë se 60 % e mësuesve të ciklit të ulët nuk dinë të përdorin kompjuterin, edhe në mes të Tiranës, ndaj këto shifra nuk janë realitet, por propagandë e paketuar si statistikë.

85% e mësuesve pohojnë se e kanë zgjedhur si profesion të parë mësuesinë, por për pyetjen nëse dashuria për profesionin mund të ndikojë më shumë sesa paga, Shqipëria nuk figuron në listën e përgjigjeve, ndërkohë që renditet Maqedonia e Veriut, Kosova.

Realiteti në terren dhe rezultatet dramatike të nxënësve tregojnë një histori krejt tjetër krahasuar me përgjigjet e pyetësorit – një sistem arsimor në kolaps, ku testet ndërkombëtare si PISA-s zbulojnë mungesën e njohurive, të motivimit dhe drejtimit dhe i rendisin aftësitë e nxënësve në matematikë, gjuhë, shkencë, të menduarin krijues  në fund të botës. Janë përkeqësuar të dhënat për diskriminimin, asocializimin, bullizmin, dhunën e konfliktet, ndërkohë mësuesit na qenkërkan  të lumtur.

Kur nxënësit bien në fund të tabelave, nuk mjaftojnë statistikat e bukura në letër, por duhet përgjegjësi, reforma të vërteta dhe investim real në cilësinë e mësimdhënies.

Kontrasti i fortë mes vetëvlerësimit të lartë të mësuesve dhe nivelit të ulët të arritjeve të nxënësve mbetet dëshmia më e qartë e politikave arsimore të qeverisë: shumë propagandë, aspak cilësi.”, deklaroi Sula.