Në ambientet e Teatrit “Migjeni” u zhvillua konferenca në prag të premierës së tragjikomedisë “Kopshtet e pavarura të lumturisë”, me regji të Hervin Çulit.
Në këtë takim morën pjesë drejtori i teatrit Gerti Palali, regjisori Hervin Çuli si dhe pjesë nga trupa aktorësh që sjellin këtë vepër në skenë.
“Jam shumë i lumtur që në Teatrin “Migjeni” vendoset një vepër shkodrane nga aktori i ndjerë Albri Brahusha dhe me regji me të mirënjohurit Hervin Çuli”, u shpreh drejtori i Teatri “Migjeni” Gerti Palali.
Regjisori Çuli ndau këndvështrimin e tij mbi dimensionin filozofik dhe emocional të veprës që mban autorësinë e dramaturgut të ndjerë Albri Brahusha.
“Vetë vepra në thelbin e saj është emërtimi i një banke, por është një metaforë që ka lidhje me ezaurimin e madh të ndjeshmërive që ka koha që jetojmë. Kjo është një bankë që në simbolikë Albri e ka ndërtua si një bankë ku nuk futen paratë, por futen jeta jonë, ndjeshmëritë, dashuria”, u shpreh regjisori Hervin Çuli.
Aktori Besmir Bitraku foli rreth karakterit të rolit të tij.
“Ka qenë një punë zbuluese dhe shumë e vështirë, por shumë frytdhënëse dhe emocionuese”, u shpreh aktori.