Europa është rajoni me prevalencën më të lartë të duhanpirjes tek të rriturit. Sipas një raporti të OBSH-së në Evropë, 24.1% e të rriturve janë konsumatorë të duhanit. Po ashtu edhe prevalenca e duhanpirjes tek gratë mbetet e lartë në Evropë me 17.4% të tyre.
Përsa i përket Shqipërisë, situata duket pak më pozitive, pasi të dhënat tregojnë se popullsia duhanpirëse është në shifrat e 21.3%, me 2.8% më pak se mesatarja evropiane.
Situata në vendin tonë paraqitet akoma më e mirë kur bëhet fjalë për gratë duhanpirëse, pasi përqindja e tyre që pijnë duhan në Shqipëri është afërsisht dy herë më pak se në Evropë. Megjithatë, edhe ky nivel duhanpirjeje për specialistët e shëndetit publik është një faktor rreziku për sëmundshmëri.
“Mund të ngelet problem zbatimi i ndalimit të duhanpirjes në ambiente publike, shitja e cigareve tek të rinjtë, edhe kosto të cilat janë relativisht të lira në Shqipëri. Duhanpirja shkakton kancer, sëmundje të zemrës dhe është përgjegjëse për shëndet të keq në Shqipëri. Kanceri i mushkërive, është 4 herë më i lartë tek meshkujt sesa tek femrat, aq sa është duhanpirja më e lartë tek meshkujt krahasuar me femrat”, u shpreh Alban Ylli, specialist, ISHP.
Shqetësim përbën rritja e duhanpirjes tek adoleshentët dhe kryesisht ajo elektronike. “Janë një produkt i dëmshëm, sidomos për të rinjtë. Ka me qindra substanca toksike. Mund të shërbejë si një rrugë fillimi për të kaluar te cigareja e vërtetë. Nikotina është adiktive dhe i mban personat të lidhur me duhanin”, shtoi Ylli.
Në rang global, 1 në 5 të rritur janë ende të varur nga duhani. Sipas OBSH-së, bota po pi më pak duhan, por epidemia e duhanit është larg fundit. Raporti i ri global tregon se numri i përdoruesve të duhanit ka rënë nga 1.38 miliardë në vitin 2000 në 1.2 miliardë në vitin 2024.