Nga Jeanne Plaumann, BILD
Diktatori i Koresë së Veriut doli me madhështi në skenë!
Në paradën e parë të madhe ushtarake pas dy vitesh, Kim Jong-un, në kryeqytetin Phenian, paraqiti për herë të parë raketën e re ndërkontinentale të vendit.
Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA e lavdëroi raketën e tipit “Hwasong-20” si “sistemin më të fuqishëm strategjik bërthamor të armëve”. Raketat ndërkontinentale konsiderohen si bartëset kryesore të armëve bërthamore.
Shkaku për paradën ushtarake në Sheshin Kim Il-Sung – që mban emrin e gjyshit të liderit – ishte 80-vjetori i themelimit të Partisë së Punëtorëve të Koresë, që është në pushtet.
Në mesin e spektatorëve ndodheshin kryeministri i Kinës, Li Qiang, ish-presidenti rus dhe zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitri Medvedev, si dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Vietnamit, To Lam. Një foto i tregonte të tre në krah të Kim, duke u përshëndetur nga ballkoni i nderit me turmën entuziaste.
Sipas KCNA-së, Kim Jong-un u bëri thirrje forcave të armatosura që të zhvillohen në një “njësi të pathyeshme”, e cila do të “shkatërrojë çdo kërcënim”.
Fotot nga parada e së premtes në mbrëmje (sipas orës lokale) tregonin raketën gjigante “Hwasong-20”, që kalonte përpara shumë spektatorëve me flamuj të Koresë së Veriut. Mendohet se kjo armë është në gjendje të godasë objektiva në të gjithë territorin e SHBA-së.
Kjo raketë është një version i përmirësuar i “Hwasong-15”, e cila u prezantua për herë të parë në vitin 2017. Qysh atëherë, ish-sekretari amerikan i mbrojtjes James Mattis kishte deklaruar se raketa e lëshuar atëherë tregonte se Koreja e Veriut mund të godiste “çdo vend të botës”.
Sipas raportimit të KCNA-së, ushtria paraqiti gjithashtu sisteme të tjera armatimi, përfshirë raketa hipersonike.
Vendi, i cili është gjerësisht i izoluar ndërkombëtarisht dhe i goditur nga sanksione, kishte zhvilluar për herë të fundit një paradë të ngjashme në vitin 2023.
Në fjalimin e tij, Kim Jong-un, sipas mediave shtetërore, foli për “frymën heroike të luftës” dhe për “fitoren” që, sipas tij, forcat e armatosura koreane kishin arritur në fushëbeteja të huaja, në emër të drejtësisë ndërkombëtare dhe paqes së vërtetë.
Koreja e Veriut i kishte dërguar Rusisë raketa dhe municione artilerie për luftën e saj agresore kundër Ukrainës, e më vonë edhe trupa ushtarake – sipas vlerësimeve, bëhet fjalë për disa mijëra ushtarë.