Në të gjithë botën sot kremtohet Dita Botërore e Shpendëve Shtegtarë. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në një postim në rrjetet sociale theksoi se “shpendët shtegtarë janë ndër banorët më të rëndësishëm të habitateve tona natyrore, për të cilët të gjithë së bashku mund të kontribuojmë duke i ofruar habitate të shëndetshme, të qeta dhe të pasura në ushqim cilësor”.
Ndërsa stinët ndryshojnë, miliona zogj shtegtarë po nisen në udhëtimet e tyre të pabesueshme përmes fushave, deteve, maleve, duke kaluar kufij të shumtë ndërkombëtarë gjatë rrugës.
Tema e këtij viti “Hapësirat e Përbashkëta: Krijimi i Qyteteve dhe Komuniteteve Miqësore ndaj Shpendëve”, ka frymëzuar veprime globale për rritjen e ndërgjegjësimit mbi kërcënimet me të cilat përballen zogjtë.
Zogjtë shtegtarë mbështeten në liqenet, lumenjtë, përrenjtë, pellgjet, kënetat dhe ligatinat bregdetare, për shumim, pushim, furnizim me ujë gjatë migrimit dhe dimërimit. Megjithatë, kërkesa në rritje e njeriut për ujë, së bashku me ndryshimet klimatike, ndotjen dhe faktorë të tjerë, po kërcënojnë këto ekosisteme të çmuara ujore.
Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë që u zhvillua në janar të këtij viti solli rezultate shumë pozitive me 13 mijë individë më shumë si dhe 5 specie më shumë krahasuar me censin e vitit 2024.
Rritja vit pas viti e numrit të shpendëve ujorë dimërues në Shqipëri është tregues i krijimit të kushteve më të favorshëm për shtimin e tyre, duke forcuar ekosistemet natyrore të vendit dhe mirëmbajtjen e ekuilibrave ekologjik