Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet mes turistëve të huaj, veçanërisht pas përfundimit të pandemisë. Turizmi është shndërruar në një nga sektorët me rritjen më të shpejtë në vend dhe po kthehet në një motor të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare.
Një ndër arsyet kryesore të këtij zhvillimi lidhet me hyrjen në treg të linjave ajrore me kosto të ulët, një prirje që ka ndodhur edhe në pjesë të tjera të Europës, duke sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të fluturimeve drejt dhe nga Shqipëria.
Përveç kësaj, investimet në infrastrukturë, marketingun ndërkombëtar dhe zgjerimin e sezonit turistik kanë kontribuar ndjeshëm në rritjen e vizibilitetit të vendit.
Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë muajit shtator 2025, Shqipëria ka shënuar një performancë të jashtëzakonshme. Krahasuar me periudhën para pandemisë, numri i fluturimeve komerciale është rritur me 165.7%, duke e renditur vendin në krye të Evropës dhe të rajonit për ritmin e rritjes në këtë sektor.
Edhe në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar, rritja vjetore mbetet pozitive – rreth 3%.
Përgjatë nëntë muajve të vitit aktual, numri total i fluturimeve komerciale është vlerësuar në rreth 52,800, ndërsa vetëm gjatë shtatorit janë regjistruar afërsisht 7 mijë fluturime.
Edhe në terren, të dhënat flasin për një bum të vërtetë turistik
Referuar shifrave të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, nga janari në shtator 2025, Shqipëria ka mirëpritur 10,228,686 vizitorë, një rritje prej 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Ky trend pozitiv dëshmon për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të turizmit dhe për angazhimin e përbashkët të institucioneve publike e private në promovimin e Shqipërisë si një destinacion mikpritës dhe gjithnjë e më tërheqës për vizitorët nga e gjithë bota.