Të paktën 28 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet që kanë goditur pjesën qendrore dhe juglindore të Meksikës.
Shteti Hidalgo është ndër më të prekurit, ku nga 28 viktimat, 16 janë nga ky shtet. Konfirmimin për numrin e viktimave e ka dhënë Guillermo Olivares Reyna, ministri i Brendshëm i shtetit të Hidalgot.
Në Puebla kanë vdekur nëntë persona, ndërsa 13 të tjerë konsiderohen të zhdukur. Rreth 80 mijë njerëz janë prekur nga moti i keq.
Dy persona kanë vdekur në shtetin Veracruz, përfshirë një oficer policie, ndërsa në Querétaro ka humbur jetën një fëmijë si pasojë e një rrëshqitjeje toke.
Shiu i rrëmbyeshëm, që ka rënë të enjten dhe të premten, ka bërë që lumenjtë të fryhen dhe të dalin nga shtrati, duke përmbytur rrugët, bllokuar qarkullimin dhe dëmtuar qindra shtëpi. Sipas raporteve të mediave lokale, është ndërprerë edhe energjia elektrike në disa zona.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka njoftuar se ushtria është vendosur në terren për t’u ardhur në ndihmë popullsisë së prekur nga përmbytjet.