Nga paraja fizike tek ajo digjitale, shqiptarët po zgjedhin të kryejnë më shumë veprime bankare përmes telefonit.
Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, numri i transaksioneve ka pësuar një rritje rekord në korrik, duke kapur për herë të parë shifrën prej 1 milion. Në 7 muaj të këtij viti janë kryer 21% më shumë transaksione se në janar-korrik të vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, ka pasur një rënie të lehtë me 0.3% të shumës së pagesave apo transfertave të realizuara me home banking. Kjo nënkupton se janë kryer një numër më i madh pagesash apo transfertash përmes internetit, por në shuma më të vogla gjatë muajit korrik.
Megjithatë, nëse bëjmë një krahasim të këtij shtatëmujori me atë të vitit të kaluar, kuptojmë se në 2025 janë kryer veprime bankare me një vlerë prej 1.5 miliardë lekësh, 15% më shumë se në janar-korrik 2024.
Home banking i referohet të gjitha veprimeve bankare që mund të realizohen nëpërmjet telefonit, tabletit, laptopit ose kompjuterit, me internet nga faqja online e bankës apo përmes aplikacionit të saj, direkt nga rehatia e shtëpisë.
Bankingu në shtëpi përdoret për të kryer transferta parash, paguar taksat, faturat e energjisë elektrike, ujit, të telefonit, gjobat e policisë, pagesat e kartës së kreditit dhe të tjera, pa qenë nevoja e paraqitjes në degët fizike të bankave.
Realizimi i transfertave përmes aplikacioneve bankare në telefon kursen shumë më tepër kohë në vend të atyre që kryhen pranë degëve fizike, pasi transaksionet shpesh mund të përfundojnë brenda pak minutash në shtëpi.
Rritja e transaksioneve që kryhen përmes aplikacioneve ose faqeve online të bankave është një tregues i digjitalizimit të shërbimeve bankare, ndërsa rrit edhe më tepër përfshirjen financiare të qytetarëve, si dhe transparencën e veprimeve bankare./Scan Tv