Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor njofton se 70 orkestrantë shqiptarë janë nisur drejt Italisë për të marrë pjesë në Festivalin “Respighi Bologna 2025”.
Pas suksesit të shënuar në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Orkestra Simfonike e TKOBAP-së, në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura dhe me pjesëmarrjen e violinistit italian Giuseppe Gibboni, nën drejtimin e maestro Sergio Alapont, do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë festival prestigjioz të muzikës simfonike.
Ky debutim në Teatro Auditorium Manzoni shënon një moment të rëndësishëm për orkestrën shqiptare, duke e vendosur atë në një nga skenat më të njohura europiane dhe duke përforcuar misionin e TKOBAP-së për të promovuar artin dhe kulturën shqiptare me dinjitet dhe ekselencë jashtë kufijve të vendit./atsh