Dritan alias Amar Shkëmbi, që dikur ishte pjesë e rrethit shoqëror të ngushtë me Plaurend Dervishaj dhe i shpallur në kërkim prej gati dy vite nga SPAK, do ekstradohet nesër nga Dubai në drejtim të Aeroportit të Rinasit në Tiranë.
Ish-miku i ngushtë i Dervishaj, tashmë është kthyer në mosbesuesi më i madh i tij, për shkak edhe të situatës ligjore ku e ngatëroi “Lenti”.
Shkëmbi, u shpall në kërkim nga prokuroria e posaçme për akuzën e “Vrasjes së funksjonarëve publikë” të mbetur në tentativë, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e Andi Malokut dhe “të fortit” të Shijakut, Aleksandër Lahos alias “Rrumit”.
Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se ekstradimi i Amar Shkëmbit pritet të kryhen ditën e nesërme, pasi autoritetet e drejtësisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, kanë ndezur dritën jeshile për deportimin e tij, në drejtim të vendit kërkues, që në këtë rast është Shqipëria.
Sipas urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK ndaj Amar Shkëmbit, ai së bashku me Plaurend Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, kanë vepruar në vitin 2019 në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, duke kryer veprat penale të “Vjedhjes” kryer në formën e veçantë të bashkëpujnimit, “Mbajtjes pa lejë të armëve”, “Vrasjen e funksionarëve publikë” mbetur në tentativë, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, vepra këto të kryera në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Aktualisht procesi gjyqësor ndaj Amar Shkëmbit, është pezulluar me 1 vit në Gjykatën e Posaçme për shkak se ai ishte në kërkim. Ndërkohë me ardhjen e tij, automatikisht procesi i pezulluar riçelet duke vijuar gjykimi.
Në këtë dosje penale me Nr.184/1 janë bashkë të pandehur dhe Endrit Sinani, Genti Ndërjaku, Bashkim Haxhia dhe Julian Pjetri.
Sipas dosjes hetimore që SPAK ka çuar në gjykatë, sulmin me armë që iu bë në 20 qershor të vitit 2019, Plaurent Dervishaj, ky i fundit nuk e harroi lehtë, por brenda vitit, e ktheu në motiv të hakmarrjes së tij, ndaj personit të vetëm që ai dyshonte, të fortit të Shijakut, Aleksandër Laho.
Dy miqtë të cilët kishte në “Range Rover”, Julian Meçja dhe Bashkim Haxhija, i përdori në të paktën 3 plane për të vrarë Lahon, të njohur me pseudonimin “Rrumi i Shijakut”.
Sipas SPAK, Plaurent Dervishaj, ish-pjesëtari i bandës së Durrësit, drejtoi një grup kriminal me 10 persona për të vënë në zbatim planin e vrasjes.
Më 1 nëntor të vitit 2019 në mbikalimin e Shkozetit “Rrumit” iu bë pritë në atentat teksa udhëtonte në makinën e ish-prokurorit Arjan Ndoja.
Të dy mbetën të plagosur, ndërsa fatkeqësisht plumbat i morën jetën shoferit, Andi Maloku, një të riu 29-vjeçar nga Fushë-Kruja.