Ballina Politika Presidentja e Komisionit Evropian zhvillon tur në Ballkanin Perëndimor/ Ursula von der...

Presidentja e Komisionit Evropian zhvillon tur në Ballkanin Perëndimor/ Ursula von der Leyen viziton nesër Tiranën

35
0

Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian, do të nisë të hënën një tur në Ballkanin Perëndimor për të theksuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për procesin e anëtarësimit të rajonit në BE dhe për për të diskutuar Planin e Rritjes prej 6 miliardë eurosh të BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027.

Vizita e saj nis në Tiranë, më 13 tetor.  Takimet do të fokusohen në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe përmirësimin e lidhjeve rajonale.

Pas takimeve, Presidentja von der Leyen do të mbajë një fjalim në Konferencën Rajonale të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, e cila do të mbahet pasdite. Ky fjalim do të përqendrohet në angazhimin e BE-së për të mbështetur zhvillimin ekonomik të rajonit dhe mundësitë e reja të investimeve.

Sipas agjendës zyrtare, forumi do të hapet me një fjalim mirëseardhjeje nga Kryeministri Edi Rama, i cili do të nënvizojë rëndësinë e ngjarjes për zhvillimin e rajonit. Pas tij, do të mbajë fjalën e saj të hapjes Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Pas vizitës në Shqipëri, von der Leyen do të udhëtojë për në Tivat, Mal i Zi, ku do të zhvillojë takime me Presidentin Jakov Milatović dhe Kryeministrin Milojko Spajić. Ajo do të diskutojë me ta për bashkëpunimin rajonal dhe për reformat e nevojshme që do të ndihmojnë në avancimin e Malit të Zi drejt integrimit në BE.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, Presidentja von der Leyen do të vizitojë memorialin e Srebrenicës dhe do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, si dhe me Kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Krišto.

Më 15 tetor, ajo do të udhëtojë për në Beograd, ku do të takohet me Presidentin Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrin Gjuro Macut për të diskutuar për përparimin e Serbisë në rrugën e integrimit evropian dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Serbisë.

Në fund të udhëtimit, von der Leyen do të vizitojë Prishtinën, ku do të zhvillojë takime me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin në detyrë Albin Kurti për të diskutuar përpjekjet e Kosovës për integrimin në BE dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.