Ballina Kuriozitete Unazat e Saturnit janë shumë më të reja nga sa mendohej fillimisht

Unazat e Saturnit janë shumë më të reja nga sa mendohej fillimisht

0
35

Kur shikojmë planetët e tjerë në sistemin tonë diellor, njëri prej tyre dallohet menjëherë. Saturni bie në sy për shkak të unazave të tij të pazakonta, të cilat mendohet se përbëhen nga copëza kometash, asteroidësh ose hënash të thyera që u shkatërruan përpara se të arrinin planetin, sipas “the Guardian”.

Por dikur këto unaza nuk ekzistonin fare. Dhe tani, shkencëtarët që studiojnë gjigantin e gaztë thonë se unazat e tij të famshme janë shumë më të reja nga sa ishte menduar më parë.

Studiuesit e NASA-s kanë analizuar të dhënat nga anija kozmike” Cassini”. Ata u përqendruan tek shtresa e hollë e pluhurit kozmik që është vendosur mbi akullin që përbën unazat e Saturnit. Ideja ishte të matnin sa shpejt grumbullohet ky pluhur, gjë që jep të dhëna për moshën e tyre.

Shkencëtarët e shpjegojnë me një shembull; imagjinoni një shtëpi 500-vjeçare që nuk është pastruar kurrë , shtresa e pluhurit do të ishte shumë më e trashë se në një shtëpi 30-vjeçare.

Dihet tashmë se vetë Saturni është rreth 4.5 miliardë vjeç , po aq sa dhe pjesa tjetër e sistemit diellor. Por, falë provave të reja me pluhurin kozmik, shkencëtarët besojnë se unazat janë vetëm rreth 400 milionë vjeçare.

Profesori Sascha Kempf, nga Universiteti i Kolorados në SHBA, tha se ky është një hap i madh për të kuptuar më shumë mbi shtatë unazat e Saturnit, por formimi i tyre mbetet ende një mister:

“E dimë përafërsisht sa të vjetra janë unazat, por kjo nuk na jep ende përgjigje për problemet e tjera. Ende nuk e dimë si u formuan në radhë të parë”.

Ekspertët mendojnë se unazat mund të jenë duke u zhdukur tashmë dhe se do të jenë zhdukur plotësisht pas rreth 100 milionë vjetësh, pasi akulli po bie si “shi” mbi planetin gjigant të gaztë.