Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se “shqiptarët janë shumë nervozë” për shkak të “pjesëmarrjes së madhe në zgjedhje” në mjediset me shumicë serbe.
“Deri në orën 10:00, pjesëmarrja ishte më e madhe në mjediset serbe sesa në ato shqiptare. Shpresoj në fitoren e Listës Serbe, shpresoj që një pjesë e pushtetit të mund të kthehet në duart e saj”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.
Ai nuk sqaroi se në cilat të dhëna është bazuar.
Sipas Vuçiçit, shqiptarët nga të gjitha zonat – nga Tirana dhe Prishtina deri në Preshevë dhe Bujanoc – janë “dehur pas fitores së mbrëmshme” të kombëtares së futbollit të Shqipërisë ndaj Serbisë, në Leskovc.
“Do të doja që sonte të ketë një festë më të rëndësishme në komunitetet serbe në Kosovë, krahasuar me atë festë”, tha Vuçiç.