Një raport i fundit mbi përfshirjen financiare dhe shërbimet digjitale në Ballkanin Perëndimor tregon se Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në dekadën e fundit, por mbetet ndër vendet më të vonuara në rajon për sa i përket përdorimit të llogarive bankare dhe pagesave digjitale.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore (2024), rreth 60–65% e të rriturve në Shqipëri (mosha 15+) zotërojnë një llogari financiare, krahasuar me mbi 80% në Serbi dhe Mal të Zi, si dhe me rreth 70% në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Në vitin 2011, përfshirja ishte shumë më e ulët, por megjithë rritjen e ndjeshme, hendeku me mesataren rajonale (ECA) mbetet i thellë.
Përdorimi i pagesave digjitale, ende nën mesataren rajonale
Në aspektin e digjitalizimit të pagesave, Shqipëria ka shënuar gjithashtu përparim, por ritmi është më i ngadaltë se te fqinjët. Në vitin 2024, vetëm 40–45% e të rriturve shqiptarë kanë bërë ose marrë një pagesë digjitale, ndërkohë që kjo përqindje arrin mbi 70–80% në Serbi dhe Mal të Zi, dhe rreth 60% në Maqedoninë e Veriut.
Raporti thekson një përparim të ngadaltë në adoptimin e shërbimeve digjitale, të ndikuar nga faktorë si të ardhurat e ulëta, kostoja e perceptuar e shërbimeve financiare dhe niveli ende i kufizuar i edukimit financiar në zonat rurale.
Shqipëria me pengesën më të madhe ekonomike: 80% pa llogari për shkak të mungesës së parave
Sipas të dhënave mbi barrierat për hapjen e llogarive, Shqipëria del me diferencën më të theksuar në rajon: 80% e të rriturve pa llogari bankare deklarojnë se “nuk kanë mjaftueshëm para”, një nivel shumë më i lartë se në çdo vend tjetër të Ballkanit; 38% e tyre theksojnë se tarifat për shërbimet financiare janë shumë të larta, ndërsa 33% thonë se një anëtar i familjes tashmë ka llogari bankare; Pengesat e tjera kanë peshë më të ulët: 15% e shohin distancën nga institucionet si problem, 15% nuk i besojnë bankave, dhe vetëm 9% përmendin mungesën e dokumentacionit.
Në krahasim, në Maqedoninë e Veriut 89% e të rriturve pa llogari thonë se një anëtar i familjes tashmë ka një llogari, ndërsa në Mal të Zi 71%, çka tregon një përfshirje indirekte familjare më të lartë.
Në Bosnje dhe Kosovë, përqindjet e mungesës së fondeve janë përkatësisht 24% dhe 19%, shumë më të ulëta se në Shqipëri.
Kostot dhe besimi, pengesa dytësore
Në të gjithë rajonin, perceptimi se shërbimet financiare janë “të shtrenjta” varion nga 24% deri në 38%, ndërsa mungesa e besimit në institucione mbetet një problem më i moderuar (8–21%).
Megjithatë, Shqipëria ka ndër përqindjet më të larta për këtë kategori (15%), duke reflektuar një nivel të moderuar mosbesimi që shtohet mbi pengesat ekonomike.
Sipas raportit, Serbia dhe Mali i Zi janë tashmë në nivel të krahasueshëm me ekonomitë e vogla të BE-së, me përfshirje bankare mbi 80% dhe përdorim të lartë të pagesave digjitale (70–80%). Kosova dhe Maqedonia e Veriut tregojnë progres të qëndrueshëm me shifra mesatare 60–70%, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina mbeten prapa me nivele nën 65%.
Shqipëria, nevojë për politika për uljen e pengesave ekonomike
Të dhënat tregojnë se sfida kryesore për Shqipërinë nuk është më infrastruktura bankare apo dokumentacioni, por vështirësitë ekonomike dhe perceptimi i kostove të larta.
Raporti thekson se përmirësimi i aksesit në llogari bankare kërkon rritje të të ardhurave reale dhe formalizim më të gjerë të tregut të punës; zvogëlim të tarifave bankare dhe zhvillim të shërbimeve me kosto të ulët për individët me të ardhura të pakta, si dhe zgjerim të pagesave digjitale përmes platformave qeveritare dhe bizneseve private.
Në përfundim, raporti nënvizon se, edhe pse Shqipëria ka bërë hapa të qartë drejt modernizimit financiar, 80% e të papërfshirëve përballen ende me pengesa të natyrës ekonomike, një tregues se sfida për përfshirjen financiare nuk është më teknologjike, por sociale dhe ekonomike./ekofin.al