Detaje të reja nga aksioni blic në Elbasan. Tre nga të ndaluarit refuzojnë të deklarojnë identitetin dhe dyshohet se kanë dorëzuar dokumenta identifikimi të falsifikuara. Në mesin e të shoqeruarve është ish-deputeti i PDIU-së Bujar Muça, një prej anëtarëve të grupit të Emiljano Shullazit si dhe një i dyshuar për vrasje me pagesë nga Burreli.
Sipas burimeve zyrtare, operacioni u zhvillua rreth orës 15:30 në një lokal të njohur përgjatë aksit rrugor Elbasan – Ish-Metalurgjia, në fshatin Katund i Ri. Policia ndërhyri me forca të shumta dhe arrestoi të paktën dy persona.
Zbulohet emri i një prej të shoqëruarve nga Policia e Elbasanit në operacionin e befasishëm të zhvilluar sot në afërsi të fshatit Katund i Ri, zona e Metalurgjikut, pasditen e sotme.
Ai është biznesmeni Bujar Muça, 53 vjeç, banues në Elbasan, pronar i kompanisë “Delta Group”, por edhe i disa sipërmarrjeve të tjera.
Muça është një emër i njohur edhe në faktorin politik lokal dhe qendror, pasi ka kandiduar në vitin 2017 si deputet për PDIU-në në zgjedhjet e përgjithshme ku fitoi mandatin, por më pas u dorëhoq po atë vit, më 30 nëntor, rreth tetë muaj pas zgjedhjeve, për arsye personale.
Policia zhvilloi pasditen e sotme aksionin e madh për të cilin priten detaje dhe emra të tjerë, teksa arrestoi dy eksponentë të botës së krimit që mbanin armë të mbushura me fishek në fole dhe shoqëroi disa të tjerë.