Nga Namir Lapardhaja
Ka një keqkuptim në diskutimin publik lidhur me ligjin 7501. Është përmendur shpeshherë si një krim ndaj ish-pronarëve, edhe pse e vërteta nuk është tamam kështu. Siç po del edhe në ditët e fundit, ‘demonizimi’ i këtij ligji është bërë pikërisht për të mos mbajtur përgjegjësi dhe për ta hedhur fajin te të tjerët.
E vërteta është se masakra e vërtetë që ka ndodhur ndaj konceptit të pronës dhe ndaj pronarëve të ligjshëm në Shqipëri, nuk është ky ligj, por janë dy ligje të tjerë, që do të miratonte Paria Demokratike pas ardhjes së saj në pushtet.
Nëse do ta analizonim nen për nen ligjin nr. 7501, datë 19 korrik 1991 “Për tokën”, shohim se ai u miratua në një periudhë tranzitore, kur ende nuk ishte shkatërruar plotësisht kooperativa dhe ku koncepti i kolektivizimit ishte ende shumë i fortë në shoqërinë tonë.
Sipas asaj që citohet në të, ky nuk është një ligj që “jep pronë” në konceptin që kemi sot, por ai të jepte të drejtën ‘mbi tokë bujqësore’ për përdorim ose për “marrje në përdorim” dhe përcaktonte kufizime të qarta deri në 3 vite, pa të drejtë shitblerje dhe humbje të saj, nëse brenda një viti nuk e vë në përdorim tokën bujqësore.
Deri këtu, duke parë kontekstin se nga vinte Shqipëria, paaftësinë dhe pamundësinë për të qenë më të qartë në atë kohë, duket se gjithçka është brenda një normaliteti për të tejkaluar ‘krizën’ dhe ‘prblemin’ që do të lindte nga shpërbërja e kooperativave bujqësore.
Problemi është i asaj që erdhi më vonë, që përbën masakrën e vërtetë mbi pronën dhe tokën, ngritur mbi ndryshimet ligjore të ligjit 7501 dhe bërë përpara referendumit të vitit 1994, është pikërisht Ligji nr. 7715 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7501, datë 19.7.1991 ‘Për tokën’, i miratuar në 2 qershor 1993, i cili, në thelb, bëri masakrën e vërtetë, duke njohur si pronarë të tokës të gjithë ata që e kishin përfituar nga ndarja e vitit 1991. Pra, PD bëri atë që as PPSH nuk bëri, sepse kjo e dyta ua dha në përdorim, ndërsa e para i njohu si pronar. Përveç këtij, është edhe ligji nr. 8053, datë 21.12.1995 ‘Per kalimin në pronësi pa shpërblim’, i cili, po ashtu, vijoi masakrën lidhur me tokën, duke u shprehur që në nenin 1 të tij, qëllimin e tij: “Ky ligj ka për qëllim rregullimin ligjor të kalimit në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore familjeve ose individëve që e kanë atë në përdorim.”
Janë pikrëisht këto dy ligje të miratuara nga Partia Demokratike ato që i hapën rrugë abuzimeve, keqpërodrimeve, regjistrimeve fiktive dhe sigurisht ndërhyrjeve politike të më të fortit dhe jo atij që kishte të drejtë.
Ndryshimet e ndodhura në atë kohë përbëjnë thelbin e masakrës së vërtetë mbi pronë, ku në Nenin 2 të amendamentit u përaktua se shteti “u jep tokë personave fizikë a juridikë” duke krijuar prerogativën, tashmë, për t’ua dhënë si pronë, jo vetëm në përdorim, siç e kishte parashikuar ligjit 7501. Këtë ndryshime të ndodhura pikërisht në kohën e PD-së, legalizuan tapitë e marra në përodrimim sipas ligjit 7501, duke i bërë ata, tashmë, pronarë ‘të vërtetë’ të pronës së marrë dikur vetëm në përdorim.
Ndryshimi është thelbësor dhe rrënjësor midis dy ligjeve. I pari, i miratuar ende në komunizëm, në shpejtësi dhe shihej si një mënyrë për të dalë nga kolektivizmi në përdorim të pronës nga individi dhe i dyti në demokraci, ku partia që konsiderohej e djathtë dhe që do duhet të kishte një lloj ndjeshmërie për pronën, për të drejtën dhe, tashmë, një lloj eksperience, edhe pse të shkurtër, në ndërtimin e një shteti që po shkonte drejt një ideje moderne dhe evropiane për pronësinë.
Konflikti për pronën ka rezultuar fatal në një Shqipëri të ngarkuar me problematika ekonomike, sociale dhe politike.
Këto konflikte kanë lindur pikrëisht për shkak të maskrave ligjore që ka bërë politike lidhur me ligjet dhe aktet nënligjore në dobi të klientelizmit dhe të paligjshmërisë dhe në dëm të pronës dhe të pronarëve të vërtetë.
Ndaj sot ata që e kanë bërë këtë masakër bëjnë mirë të heshtin dhe të mos i hedhin fajet te të tjerët, sepse, përveç këtyre, edhe vetë ligji i legalizimeve, në thelb, është në vazhdën e kësj masakrës ligjore të fillimeve të demokracisë që ka të bëjë me pronën dhe pronarët.
Partia Demokratike, Sali Berisha dhe kushdo që ka marrë pjesë në këtë masakrë janë fajtor të dyfishtë. E para janë fajtor, sepse kanë bërë ligje kriminale, e dyta janë fajtor sepse kanë pretenduar se përfaqësojnë dhe mbrojnë të djathtën dhe pronarët e ligjshëm, ndërkohë që gjithçka që kanë bërë dhe kanë miratuar, ka qenë thellësisht kundër konceptit të pronës dhe ligje kundër pronarëve të këtij vendi.