Ballina Aktualitet Gjykata Administrative rrëzon Naureda Llagamin për votimin e anëtarit të Kushtetueses

Gjykata Administrative rrëzon Naureda Llagamin për votimin e anëtarit të Kushtetueses

0
44

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka rrëzuar padinë e Naureda Llagamit për pezullimin e vendimit mbi emërimin e anëtarit të ri në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata ka vlerësuar se ankimi i ish-drejtueses së KLGJ-së është jashtë juridiksionit të saj.

Llagami pretendonte se vota e pavlefshme në procesin e votimit për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese ishte në favor të saj, çka sipas saj do ta shpallte automatikisht fituese.

Me këtë vendim të gjykatës, Asim Vokshi mbetet gjyqtari i zgjedhur për Gjykatën Kushtetuese.

Llagami ka ngritur dyshime mbi vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë gjatë votimit për përzgjedhjen e anëtarit të ri që do të zëvendësojë Holta Zaçajn. Në mbledhjen e datës 30 shtator, ajo mori 8 vota, Asim Vokshi 6 vota dhe Florian Ballhysa asnjë votë, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme.

Ish-drejtuesja e KLGJ pretendon se vota e shpallur e pavlefshme i përkiste asaj, duke e çuar numrin e votave në 9, që do të ishte 3/5 e totalit të nevojshëm për të fituar mandatin.

Sipas saj, kjo votë u shpall e pavlefshme qëllimisht, dhe nëse do të ishte pranuar, ajo do të ishte zgjedhur si anëtare e re e Kushtetueses, jo Asim Vokshi, i cili u emërua më pas për shkak të renditjes në pikëzimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Llagami ka kërkuar gjithashtu dosjen e plotë të mbledhjes, përfshirë regjistrimet audio dhe procesverbalet, për të verifikuar të gjitha procedurat e votimit.