Ballina Ekonomia Guvernatori Sejko: Pavarësia e Bankës së Shqipërisë është vënë në rrezik! I...

Guvernatori Sejko: Pavarësia e Bankës së Shqipërisë është vënë në rrezik! I kërkohet llogari për elementë jashtë tagrit të saj

48
0

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka ngritur alarmin për cenimin e pavarësisë së institucionit që drejton. Gjatë prezantimit të raportit vjetor në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Sejko deklaroi se Banka e Shqipërisë është përballur me presione të vazhdueshme, të cilat e kanë penguar në ushtrimin e lirë të funksioneve të saj.

“Ka pasur raste kur Bankës i është kërkuar llogari për çështje që nuk janë në kompetencën e saj, dhe kjo është një formë e qartë ndërhyrjeje,” u shpreh guvernatori, pa dhënë detaje konkrete.

Ai theksoi se kjo situatë është ndjerë veçanërisht gjatë dy viteve të fundit: “Nuk dua të hyj në specifika, por presioni ka qenë i pranishëm dhe i ndjeshëm. Kjo ka ndikuar në aftësinë e institucionit për të ushtruar funksionet në mënyrë të pavarur.”

Deklarata e Sejkos vjen në një kohë kur roli i institucioneve të pavarura është vënë shpesh në pikëpyetje, dhe ngre shqetësime serioze për integritetin e politikës monetare në vend.