Ballina Aktualitet Nuk ndalen mediat amerikane, gazeta e madhe: Në Shqipëri ka shpërthyer pakënaqësia...

Nuk ndalen mediat amerikane, gazeta e madhe: Në Shqipëri ka shpërthyer pakënaqësia kundër reformës në drejtësi

55
0

Gazeta e madhe amerikane ‘The New York Post’ publikoi një shkrim ku theksohet se në Shqipëri ka shpërthyer zemërimi kundër reformës në drejtësi pas vrasjes së një gjyqtari në sallën e gjyqit. Gazeta e njohur publikoi në fakt një lajm të përgatitur nga televizioni më i madh në SHBA, Fox News. Më poshtë është teksti i publikuar nga ‘The New York Post’.

Më 6 tetor 2025, gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Shqipërisë, Astrit Kalaja, u qëllua për vdekje brenda sallës së gjyqit në Tiranë, ku po shqyrtonte një çështje pronësie, sipas Komisionit Ndërkombëtar të Juristëve. Kalaja humbi jetën nga plagët e marra, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur. Autori i dyshuar, 30 vjeç, është arrestuar. Vrasja e Kalasë u kthye menjëherë në një pikë ndezjeje për pakënaqësinë mbarëkombëtare ndaj sistemit gjyqësor shqiptar.

Ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA dhe në OKB, Agim Nesho, i tha “Fox News Digital” se reformat e zbatuara gati një dekadë më parë nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të, që kishin për qëllim forcimin e shtetit të së drejtës, “janë shndërruar në një instrument politik që minon institucionet demokratike dhe përqendron pushtetin në duart e ekzekutivit.”

“Si pasojë,” shtoi Nesho, “besimi i publikut në sistemin e drejtësisë është gërryer rëndë, ndërsa mosfunksionimi institucional ka arritur nivele të tilla që segmente të caktuara të shoqërisë ndihen të shtyrë të marrin drejtësinë në duart e tyre — një shenjë e rrezikshme e regresit demokratik.”

Kreu i opozitës dhe Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi për “Fox News Digital” vrasjen e Kalajas si “një veprim i tmerrshëm dhe një kambanë alarmi që nuk duhet injoruar.”

Berisha shtoi se “mbështetja e dukshme që ka marrë ky veprim”, përfshirë krijimin e një faqeje GoFundMe (tani joaktive) për të mbështetur të drejtat ligjore të autorit, tregon një “protestë ndaj një drejtësie jofunksionale, ndaj një sistemi gjyqësor të korruptuar dhe të politizuar.”

Berisha theksoi se reforma në drejtësi “e la vendin për më shumë se pesë vite pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë”, duke krijuar “një stok tronditës prej rreth 200 mijë çështjesh.” Ai shtoi se procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve u shndërrua “në një gjueti shtrigash ndaj atyre që perceptoheshin si të pavarur ose me prirje të djathta.”

Kjo solli “armatosjen e drejtësisë kundër opozitës” tha Berisha. Një raport amerikan i vitit 2020 mbi ndihmën e SHBA-së për Shqipërinë përshkruan përpjekjet amerikane dhe të BE-së për të “rikthyer integritetin e sistemit të drejtësisë shqiptare.” Sipas raportit, USAID ndihmoi Gjykatën e Lartë të krijonte një procedurë për menaxhimin e 72% të 35 mijë çështjeve të prapambetura.

Raporti shton gjithashtu se nga 286 gjyqtarë e prokurorë që iu nënshtruan procesit të rivlerësimit, 125 u shkarkuan për “pasuri të pajustifikuara, lidhje me krimin e organizuar ose paaftësi”, ndërsa 50 të tjerë dhanë dorëheqjen për të shmangur procesin. Berisha thotë se pas reformës, zgjidhja e një çështjeje ligjore mund të zgjasë nga 15 deri në 20 vjet. “Drejtësia e vonuar, është drejtësi e mohuar,” tha ai.

Avokati Besnik Muçi, ish-prokuror dhe ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, i tha “Fox News Digital” se reforma synonte “të vendoste një sistem drejtësie të besueshëm, të drejtë, të pavarur, profesional dhe efikas, që u shërben qytetarëve në mënyrë të përgjegjshme e transparente.” Por, sipas tij, “sistemi i drejtësisë shqiptare ka dështuar pothuajse në të gjitha këto parametra.”

Muçi tha se gjykatat kanë një stok prej rreth 150 mijë çështjesh dhe se mbyllja e pesë gjykatave të Apelit dhe disa gjykatave të Shkallës së Parë “ka bllokuar pothuajse plotësisht aksesin e qytetarëve në drejtësi.” Ai shtoi gjithashtu se shumica e godinave gjyqësore “nuk plotësojnë kushtet dhe standardet e sigurisë së nevojshme.”

“Qytetarët nuk besojnë më te drejtësia,” u shpreh Muçi. Pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, Dhomat e Avokatisë së Korçës dhe Kombëtare bojkotuan seancat gjyqësore më 9 dhe 10 tetor. Drejtori i Dhomës së Avokatisë së Korçës, Nevzat Tarelli, i tha televizionit CNA se kjo ngjarje “vuri në pah nevojën për më shumë siguri dhe besim ndaj trupës gjyqësore.”

Ai shtoi se “njerëzit që presin drejtësi në kohë, nëse nuk e marrin, humbin përfundimisht besimin tek drejtësia.” Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, nuk iu përgjigj pyetjeve të “Fox News Digital” lidhur me pakënaqësinë kombëtare ndaj sistemit gjyqësor apo përmasat e stokut të çështjeve në gjykata.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me suksesin e përpjekjeve për reformën në drejtësi të mbështetura nga SHBA në Shqipëri, apo për çështjet që ka nxjerrë në pah vrasja e gjyqtarit Kalaja.

“Shprehim ngushëllimet tona më të thella për viktimat e këtij sulmi dhe familjet e tyre, dhe dënojmë me forcë çdo akt dhune ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve,” tha zëdhënësi.