Ballina Kosovë ​Osmani nderohet me Çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për Gratë, Paqen...

​Osmani nderohet me Çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për Gratë, Paqen e Sigurinë

27
0

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u nderua sot me Çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Ajo tha se këtë vlerësim të jashtëzakonshëm ia dedikon grave të Kosovës, të cilat me guxim, dinjitet e përkushtim ndihmuan arritjen e lirisë dhe ndërtimin e paqes, raporton KosovaPress.

“Është një çmim për të gjitha gratë që nuk u dorëzuan kurrë, për ato që iu prinë protestave, luftës e ndërtimit të institucioneve, kampionet e të drejtave të njeriut, për nënat që ende presin më të dashurit e tyre të zhdukur dhunshëm gjatë luftës, për të mbijetuarat të cilat kurrë nuk ndalën së punuari për kauzën e drejtësisë, si dhe për vajzat e reja që sot udhëheqin çdo fushë me besim e vizion.”

“Paqja jonë është ndërtuar mbi sakrificën dhe guximin e tyre, ndërsa demokracia jonë është forcuar falë angazhimit të pashoq të grave që qëndruan të palëkundura në çdo hap të rrugëtimit tonë drejt lirisë e barazisë.”

Presidentja Osmani po merr pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Lubjanë, si e ftuar speciale nga presidenti Marcos Perestrello.

Gjatë vizitës Osmani do të zhvillojë takim bilateral me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, si dhe do të merr pjesë në pritjen zyrtare të organizuar për nder të sesionit të Asamblesë Parlamentare nga kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupanqiq.

Osmani do të zhvillojë edhe takime të tjera gjatë sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.