Banka e Shqipërisë ka blerë 800 milionë euro deri më tani për këtë vit, kryesisht për të zbutur forcimin e lekut ndaj monedhës europiane, por edhe në ankandet e zakonshme për rritjen e rezervës valutore. Me gjithë shifrën rekord të blerjeve, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi se banka e ka të pamundur të mbrojë sektorin prodhues të ekonomisë nga forcimi i lekut, pasi kjo është një detyrë që i takon qeverisë.
“Ne nuk kemi ndërhyrë asnjëherë në treg për të mbrojtur industri të caktuar, nuk është në tagrin tonë. Prodhuesit duhet të mbrohen me masa fiskale, jo me politika nga Banka e Shqipërisë. Ne kemi tërhequr deri më tani 800 milionë euro dhe shifra do të rritet edhe më tej, por ne nuk i publikojmë që të mos nxisim spekulime në treg”, tha Sejko.
Këto deklarata kreu i Bankës së Shqipërisë i bëri pas një kërkese të deputetit socialist Erjon Braçe, i cili sugjeroi që BSH të parashikojë ecurinë e kursit të këmbimit.
“Do doja mobilizim të bankës për parashikueshmërinë e kursit të këmbimit”, tha Braçe.
Por guvernatori tha parashikimi i kursit është i pamundur.
“Është e pamundur të bësh parashikim të kursit të këmbimit, është shumë djallëzor. Kursi i këmbimit natyrisht ndikon negativisht në prodhim apo tek ata që i kanë të ardhurat në euro. Duke qenë se kemi emigracion në rritje kemi të ardhura në euro që humbasin përfituesit. Duhet të kemi një ekonomi të dobët që të forcohen valutat”, tha Sejko.
Vitin e kaluar BSH bleu rreth 1 miliardë euro nga tregu i brendshëm, kryesisht për të mos lejuar forcimin e lekut ndaj euros. Por pavarësisht këtyre blerjeve masive të monedhës europiane, leku shqiptar ka vazhduar forcimin e tij ndaj euros, ndonëse me ritme më të ngadalta.