Gjatë një intervistë për një emision televiziv, gazetari Enton Abilekaj theksoi se Shqipëria mbetet shumë mbrapa në sektorë kyç si menaxhimi i mbetjeve, ujërave dhe reforma në drejtësi, duke e bërë të pamundur për vendin të arrijë standardet minimale të BE-së për të paktën një dekadë.
Ai kritikoi ashpër qeverinë Rama për mungesën e rezultateve konkrete, duke e quajtur vizitën e Ursula Von der Leyen një shfaqje pa ndikim real, ku Shqipëria nuk përfiton asgjë nga investimet e BE-së në Ballkan.
Abilekaj theksoi se premtimet për hapjen dhe mbylljen e kapitujve të negociatave janë utopike pa reforma thelbësore dhe përparim real në drejtësi dhe mjedis, duke paralajmëruar se Shqipëria nuk do të jetë pjesë e Bashkimit Europian në 2-4 vitet e ardhshme. Sipas tij, pa ndryshime rrënjësore në politikë dhe qeverisje, integrimi europian mbetet vetëm një iluzion, ndërsa problemi i thellë i korrupsionit dhe mungesa e drejtësisë reale për qytetarët do ta mbajnë vendin jashtë standardeve evropiane.
Pjesë nga deklarata:
Është e vërtetë që në shumë sektorë jemi aq mbrapa, sa është e vështirë të themi se do të mbyllim kapituj deri në 2027. Sidomos në çështjet e menaxhimit të mbetjeve dhe të menaxhimit të ujërave. Ne jemi aq mbrapa sa nuk mendoj se mund të arrijmë standardet e BE-së të paktën për 10 vitet e ardhshme, të arrijmë të paktën standardin minimal të BE-së.
Sot flasim për një vizitë të Ursula Von der Leyen, e cila ishte në kuadër të konferencës për investimet e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Konferencë e organizuar nga Rama, sepse do të flasë çdo ditë anglisht në Tiranë, dhe për këtë përdoren para nga buxheti i shtetit për gjëra që nuk kanë asnjë ndikim apo efekt pozitiv në ekonomi, përveçse kënaqin Ramën. Kjo vizitë ishte një rast ku Rama mori komplimentet që donte në sytë e shqiptarëve dhe mori rezultatet nga faktet që ishin më të këqijat në sytë e shqiptarëve.
Sot u fol për 4 miliard euro investime për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor për iniciativën e BE-së, ku Shqipëria ishte e fundit në investime. Shqipëria nuk ka projekte, pra vjen, bëhet konferenca në Shqipëri, e në fakt firma dhe grupet nga rajoni marrin fonde, ndërsa në Shqipëri merr fonde një kompani shtetërore ku aksionere është Aida.
Besoj se ajo ecuria dhe ambicia që Ursula Von der Leyen vlerësoi te Rama për të hapur edhe një kapitull, pasi kemi ende një të papërfunduar, është një utopi që me shumë vështirësi do të realizohet të paktën deri në 2030. Ne presim të hapet edhe kapitulli i fundit brenda këtij viti, por për t’u mbyllur kapitujt do të duhet jashtëzakonisht shumë kohë. Pra, për të pasur media të lira në vendin tonë dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri, e dimë që do kërkojë shumë kohë.
Sot nuk kemi reformë në drejtësi që të sjellë drejtësi për qytetarin. Vrasja e gjyqtarit hapi çështjen e drejtësisë, për të cilën Komisioni Europian na kishte komplimentuar dhe e përfshinte në çdo raport progresi si pararojë për Ballkanin Perëndimor. Nëse ka një vend në Ballkanin Perëndimor me 200 mijë dosje pa shqyrtuar, është Shqipëria. Në drejtësi për popullin, për njerëzit, Shqipëria është e fundit. Nëse janë arrestuar disa politikanë, kjo nuk është drejtësi; drejtësia duhet t’u jepet njerëzve. Arrestimet e politikanëve apo lufta kundër korrupsionit janë një nga aspektet e drejtësisë, por jo më e rëndësishmja se drejtësia për qytetarët.
Ne po hyjmë ndërkohë në projekte reformash të tjera, si reforma territoriale, reforma zgjedhore, ndryshimi i kodit penal që i ka sjellë PS në Kuvend, të cilat janë reforma shumë të diskutueshme dhe të cilat edhe Parlamenti Europian po i sheh me skepticizëm.
Për të mos folur për ndotjen e mjedisit, që për të arritur standardin minimal të BE-së do të kërkonte më shumë se 10 vite. Ne e dimë që në çdo lumë, hapësirë bosh në vend kemi plehra që nuk pastrohen për 1-2 vite. Nuk kemi një strategji të menaxhimit të mbetjeve sot, pasi dështuan inceneratorët. Nuk dimë ku të fusim inceneratorët ndërkohë që i paguajmë. Nuk kemi impjante të ujërave të zeza as në kryeqytet, përdoret Lana për hedhjen e ujërave të zeza, apo Liqeni Artificial, detet…
Pra, ne nuk kemi ujë të pijshëm. Të gjitha këto fakte, të cilat për fat të keq janë ashtu pas 12 vite qeverisjeje të Ramës, nuk na lejojnë të futemi në BE për 2 apo 4 vite, dhe ky premtim është mashtrim, por edhe nëse hyjmë, do të jemi jashtë standardeve.