Ballina Ekonomia Buxheti në 9 muajt e parë 2025, “shpërthejnë” të ardhurat, suficiti arrin...

Buxheti në 9 muajt e parë 2025, “shpërthejnë” të ardhurat, suficiti arrin 47.1 miliardë lekë

0
9

Ministria e Financave ka publikuar sot të dhëna nga performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën janar-shtator 2025.

Bazuar në njoftimin zyrtar, të dhënat e këtij 9-mujori reflektojnë ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.

Në raport theksohet se të ardhurat totale të kësaj periudhe 9-mujore arritën në rreth 562.5 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet e përgjithshme publike, po për të njëjtën periudhën arritën në rreth 515.5 miliardë lekë.

Të dhënat nga performanca sipas Ministrisë së Financave:

Shpenzimet e përgjithshme publike arritën në rreth 515.5 miliardë lekë në 9-mujorin e vitit 2025.

Performanca Paraprake e të Ardhurave dhe Shpenzimeve për janar-shtator 2025:

Të ardhurat totale, për periudhën janar-shtator 2025, arritën në rreth 562.5 miliardë lekë, një realizim në masën 101 % të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u mblodhën rreth 33.6 miliardë lekë më shumë ose 6.4 % më shumë.

Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat, për periudhën janar – shtator 2025, janë në shumën 372.3 miliardë lekë, 30.5 miliardë lekë ose 8.9% më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) për periudhën janar – shtator 2025 u realizuan në vlerën 178.7 miliardë lekë, 7.5 miliardë lekë ose 4.4% më shumë se janar – shtatori i vitit 2024, dhe me realizim në masën 98.5%.

Të ardhurat nga TVSH në import për periudhën janar – shtator 2025 janë 117.8 miliardë lekë, 2.7 miliardë lekë ose 2.3% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Të ardhurat nga akciza për periudhën janar – shtator 2025 janë realizuar në shumën 52.3 miliardë lekë, 5.1 miliardë lekë ose 10.8% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024, si dhe realizim në shumën 1.6 miliardë lekë ose 3.1% më shumë se plani i akcizës për periudhën janar – shtator 2025.

Të ardhurat e arkëtuara nga renta minerare në eksport, për periudhën janar – shtator 2025, janë në shumën 1.5 miliardë lekë, një realizim prej 77.5 % kundrejt planit të periudhës janar – shtator 2025.

Të ardhurat nga taksat doganore për periudhën janar – shtator 2025 janë në vlerën 7 miliardë lekë, 381 milionë lekë ose 5.7% më shumë se janar – shtatori i vitit 2024, si dhe realizim prej 89.7% kundrejt planit të periudhës.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), për periudhën janar – shtator 2025 u realizuan në shumën 193.7 miliardë lekë, 23 miliardë lekë ose 13.5% më shumë se janar – shtatori i vitit 2024. Krahasuar me planin, të ardhurat e mbledhura janë 1.2 miliardë lekë ose 0.6% më shumë.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizuan në shumën 50.4 miliardë lekë, 7.4 miliardë lekë ose 17.2% më shumë se periudha janar – shtatori 2024. Rimbursimet e dhëna për periudhën janar – shtator 2025 janë në shumën 19.1 miliardë lekë, 49 milionë lekë ose 0.3% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024, dhe kundrejt planit, 521 milionë lekë ose 2.8% më shumë.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në shumën 45.3 miliardë lekë, 1.9 miliardë lekë, ose 4.4% më shumë se periudha janar – shtator 2024.

Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, për periudhën janar – shtator 2025, janë në shumën 63.1 miliardë lekë, 13.3 miliardë lekë ose 26.7% më shumë se periudha janar – shtator 2024, si dhe 6.2 miliardë lekë ose 10.9% më shumë se plani i periudhës janar – shtator 2025.

Të ardhurat nga taksat nacionale, për periudhën janar – shtator 2025 u realizuan në shumën 34.8 miliardë lekë, 391 milionë lekë ose 1.1% më shumë se janar – shtatori i vitit 2024.

Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH për periudhën janar – shtator 2025 u realizuan në shumën 132.9 miliardë lekë, 14.5 miliardë lekë ose 12.3% më shumë se periudha e vitit 2024, si dhe me realizim prej 104.4% të planit të periudhës.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 9-mujore të vitit 2025, arritën në rreth 515.5 miliardë lekë me një realizim në masën 95.7% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 ky zë ka rezultuar 12.2% më i lartë ose rreth 55.9 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 9-mujorin e vitit 2025 u realizuan në masën 62.5% e planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 62.4% e planit vjetor sipas Aktit Normativ Nr. 6 datë 11.06.2025 (AN nr.6).

Shpenzimet korente për periudhën 9-mujore të vitit 2025 rezultuan në rreth 457.6 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 11.3% më i lartë ose rreth 46.3 miliardë lekë më shumë. Krahasuar me planin ato janë realizuar në masën 97.1%.

Shpenzimet kapitale për periudhën 9-mujore të vitit 2025 rezultuan në rreth 56.8 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 17.6 për qind më i lartë ose rreth 8.5 miliardë lekë më shumë. Krahasuar me planin ato janë realizuar në masën 85.1%.

Niveli i suficitit në periudhën 9-mujore të vitit 2025 rezultoi në rreth 47.1 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë niveli i suficitit ka rezultuar 32.1% më i ulët ose rreth 22.2 miliardë lekë më pak.