Ballina Aktualitet Naureda Llagami i kërkon Gjykatës Kushtetuese ta zgjedhë si anëtare

Naureda Llagami i kërkon Gjykatës Kushtetuese ta zgjedhë si anëtare

15
0

Ish-kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda LLagami paraqiti të martën më 14 tetor në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë me katër pika, me anë të së cilës kërkon që të fitojë pozicionin vakant të anëtares së Kushtetueses, Holta Zaçaj.

Edhe pse gjyqtari Asim Vokshi u shpall fitues më 30 shtator bazuar mbi pikëzimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Llagami pretendon se ajo ka marrë votat e nevojshme për t’u shpallur fituese, duke përfshirë edhe një votë që u deklarua e pavlefshme.

Llagami ngriti pretendime për votën e pavlefshme dhe pasi kërkoi gjithë aktet e procedurës së votimit dhe numërimit të votave në Gjykatën e Lartë, me argumentin se vullneti I zgjedhësit ishte i qartë në favor të saj, i’u drejtua Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë me kërkesë për pezullimin e zbatimit të vendimit që shpalli fitues Vokshin.

Në kërkesën drejtuar Kushtetueses të martën, Llagami ka renditur të parin kërkimin për shfuqizimin e vendimit të së hënës të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, që i rrëzoi kërkesën për sigurim padie me objekt pezullimin e zbatimit të vendimit që shpalli fitues Vokshin, për vendin e Zaçajt. Gjyqtarja Semiramis Hoxholli që shqyrtoi kërkesën e Llagamit, vendosi nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor të administratives, e për pasojë, mospranimin për shqyrtim të kërkesës për sigurim padie. Po ashtu, në vendim u shënua se mund të ushtrohej ankim i veçantë në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë, brenda 5 ditëve.

Llagami i kërkon Gjykatës Kushtetuese, që pasi të rrëzojë vendimin e Hoxhollit, të kthejë për rigjykim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, por me një tjetër trup gjykues.

Në vijim, ish-kryetarja e KLGJ-së paraqet dhe kërkim alternativ, në rastin se Gjykata Kushtetuese do të vlerësojë se ka juridiksion në zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje. Në një rast të tillë, Llagami kërkon shfuqizimin e vendimit për zgjedhjen e gjyqtarit Asim Vokshi fitues për vakancën në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, kërkon deklarimin e rezultatit të votimit për kandidaten Naureda Llagami me nëntë vota në favor të saj, duke u shpallur fituese për vakancën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese.

Në përfundim, ajo parashtron kërkesat për marrjen e masës së pezullimit për zbatimin e vendimit të Mbledhjes se Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të vendimit Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Si relator për shqyrtimin e kërkesës së Llagamit, është caktuar gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Gent Ibrahimi.

Ish-kryetarja e KlGj-së, Naureda Llagami i tha BIRN të martën se nuk bënë asnjë koment për vendimarrjen e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Ajo i cilësoi kërkimet e saj në gjykata si një praktikë të re, që është duket u testuar.

Në një bisedë të mëparshme, Llagami pohoi për BIRN se deklarimi i pavlefshëm i votës është deformim i vullnetit të zgjedhësit dhe se kjo ishte arsyeja kryesore pse kërkoi marrjen e masës së sigurimit të padisë për pezullimin e vendimit që shpalli Vokshin fitues. Sipas saj, është e rëndësishme që të testohet edhe procesi lidhur me vlerësimin e votës, duke nënvizuar se është rasti i parë që kontestohet dhe se praktika që do të zhvillohet do të jetë e dobishme në të ardhmen.

Gjykata Kushtetuese iu përgjigj pyetjes që BIRN i drejtoi lidhur me afatet që nevojiteshin për trajtimin e kërkesës së Llagamit, duke bërë me dije se kërkesa për pezullim do të shqyrtohet me përparësi në ditët në vijim. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese informoi se do ta shqyrtojë me përparësi dhe çështjen në tërësi, ashtu siç po shqyrton çështjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliajt. Ky i fundit e konsideroi si të papajtueshëm me Kushtetutën shkarkimin e tij si kryebashkiak, që u realizua disa muaj pasi ai u arrestua për kurrupsion.

Ndërkohë, ankimi i Llagamit duket se po sjell vonesa për dekretimin e gjyqtarit Asim Vokshi në Gjykatën Kushtetuese. E pyetur nga BIRN, zëdhënësja e Presidencës, Arta Sakja ripërsëriti të njëjtin qëndrim gjatë dy ditëve të fundit. “Ju siguroj që do të merrni dijeni sapo të përfshihet në agjendë”, shrkoi ajo të marten në aplikacionin WhatsApp./BIRN/