Nga Alba Kepi
‘Komisioni Evropian të veprojë kundër shkeljeve të rënda të qeverisë italiane në Shqipëri, duke nisur edhe një procedurë kundër shkeljes së ligjit.’
Këtë e kërkojnë në një letër drejtuar komisionerit për migracionet Magnus Brunner eurodeputetët e PD-së Alessandro Zan dhe Cecilia Strada, dhe eurodeputetja e S&D-së Birgit Sippel, së bashku me 54 eurodeputetë të tjerë nga vende dhe grupe të ndryshme politike (S&D, Greens, The Left), me të gjitha partitë e opozitës italiane.
‘Komisioneri Brunner të mos bëjë se s’dëgjon: Giorgia Meloni në Shqipëri ka shkelur të drejtën evropiane, siç kemi denoncuar prej muajsh me pyetje parlamentare, dhe Komisioni e pranon se është në dijeni. Tani presim masa konkrete’, thonë Zan dhe Strada.
‘Qeveria e Melonit ka krijuar një sistem menaxhimi të migracionit që nuk respekton juridiksionin evropian, me deportime direkte nga territori shqiptar, në shkelje të së drejtës së Bashkimit Evropian. Modeli i imponuar nga qeveria italiane dëmton shtetin e së drejtës, është jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe krijon një ‘zonë gri’ të rrezikshme jashtë kuadrit të ligjshmërisë evropiane, ku personat migrantë privohen nga mbrojtjet e parashikuara nga Karta e të Drejtave Themelore dhe nga konventat ndërkombëtare.
Gjykata e Drejtësisë tashmë ka konfirmuar papajtueshmërinë e këtij modeli me të drejtën e BE-së, dhe tani edhe Gjykata e Lartë italiane ka kërkuar një vendim mbi ligjshmërinë e CPR-ve në Shqipëri’, shpjegojnë deputetët. Ata theksojnë se Komisioni, edhe pse i vetëdijshëm për këto operacione falë pyetjeve të tyre të shumta, deri tani është kufizuar vetëm në deklarata se po monitoron respektimin e rregullave. ‘Një qëndrim i papranueshëm që rrezikon të kthehet në një bashkëfajësi për pasivitet. Komisioni duhet të mbrojë traktatet, jo të jetë spektator i këtyre shkeljeve të vazhdueshme dhe të dukshme. Është koha që Komisioni të veprojë, duke marrë masa konkrete. Në lojë nuk janë vetëm të drejtat e personave migrantë, por edhe besueshmëria e vetë Bashkimit Evropian si hapësirë e lirisë, demokracisë dhe ligjit’, përfundojnë ata.