Ballina Dossier Babë e bir para togës së pushkatimit

Babë e bir para togës së pushkatimit

30
0

Nga Fatmira Nikolla

“Unë nuk pranoj asnjë akuzë. Kurrë nuk kam vepruar kundër popullit. Nuk kam bërë asnjë akt kundër atdheut. As unë, as im bir. I bëj thirrje tim biri dhe të tjerëve të akuzuar padrejtësisht: Mos pranoni akuza të paqena për tradhti kundër atdheut. Ne nuk kemi bërë akte kundër atdheut… po vdesim duke e mbrojtur atdheun. Unë nuk i pranoj akuzat dhe nuk kërkoj mëshirë.”

Sheh Ibrahim Karbunara mohon çdo akuzë në gjyq dhe çdo deklaratë kundër tij. Para se të ishte në bankën e të akuzuarve nga pushteti i ri, ai njihej si atdhetar, një ndër anëtarët e Komisionit Nismëtar të Kongresit të Lushnjës dhe figurë kyçe e Tarikatit Halveti. Njohës i pesë gjuhëve të huaja dhe i diplomuar për teologji në Stamboll, ai mbështeti luftën nacionalçlirimtare, por fundi i saj i solli fundin atij dhe të birit, Hysen Shehu-Karbunara.

Shehu i mohoi para gjyqit të gjitha akuzat, ndërsa avokati i tij në fund shton se edhe deklaratat e bëra në hetuesi dhe të firmosura me dorëshkrimin e tij, i ka përgënjeshtruar më pas. Për ta shpëtuar nga plumbat, avokati Fuad Fico përpiqet ta paraqesë të paaftë, ndaj i kërkon trupit gjykues të ketë parasysh “aftësitë e tij kulturore kufizuese”, duke sugjeruar se “ai nuk ka qenë kurrë në nivelin e politikanëve… dhe më parë ka pas zgjuarsinë e tij natyrore që të mos binte në grackë dhe të shkelte në dhogë të kalbur si këtë herë”.

Në mbrojtje të tij, avokati shton se këtë radhë “ka vepruar krejt në kundërshtim dhe kjo i dedikohet moshës së tij të kaluar, nga e cila merret vesh se i ka sjellë një farë lloji rënie në gjykimin e tij, aq sa nuk ka pasur as prudencën më të vogël për të evituar të paktën djalin e tij Hysenin”.

Sot, 78 vjet nga ekzekutimi i Sheh Ibrahim Karbunarës dhe të birit, kujtojmë jo vetëm vdekjen e tyre tragjike, por edhe qëndresën, besimin dhe dinjitetin e njeriut përballë padrejtësisë.