Ballina Rajoni Dënohet me burg përjetë shqiptari që vrau me thikë bashkëshorten në Greqi

Dënohet me burg përjetë shqiptari që vrau me thikë bashkëshorten në Greqi

111
0

Shqiptari Eduard Danaj, është dënuar me burgim të përjetshëm nga autoritetet gjyqësore greke, pasi vrau me thikë bashkëshorten në Greqi.

Ai u shpall fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij, Enkelejda Danaj, ngjarje e ndodhur më 16 maj 2024 në kryeqytetin grek.

Sipas vendimit të gjykatës, 50-vjeçari kishte vepruar me paramendim dhe nën ndikimin e motiveve xhelozie dhe kontrolli. Pas aktit, ai ishte larguar nga vendngjarja dhe kishte qëndruar përkohësisht në një hotel, ku më pas u arrestua nga policia.

“Akti i vrasjes është një akt mizor. Kemi një thikë të ngulur në stomakun e viktimës. I pandehuri është një njeri i dhunshëm, ai as nuk i mbante mend datat e lindjes së fëmijëve të tij, gjë që është e pakonceptueshme. Ai konsumoi alkool pas veprimeve të tij dhe më pas mori një taksi dhe shkoi në një hotel”, tha kryetari i gjykatës.

Sipas mediave greke, gjykata, përveç dënimit me burgim të përjetshëm, e gjobiti Danajn edhe me 5 mijë euro për mbajtje të një arme pa leje.

Në sallën e gjyqit, një nga momentet më prekëse ishte dëshmia e vajzës 22-vjeçare të çiftit, e cila pas humbjes së nënës ka marrë përsipër rritjen e vëllait të saj më të vogël.