Ballina Dossier Diktatori paranojak që ndërtoi bunkerë, jo mirëqenie

Diktatori paranojak që ndërtoi bunkerë, jo mirëqenie

46
0

Shumica e njerëzve në Shqipëri e njohin nga jashtë ndërtesën në rrugën “Ismail Qemali”. E ashtuquajtura “Vila 31” ka qenë dikur rezidenca e diktatorit Enver Hoxha. Ajo u hap për herë të parë për publikun në fillim të vitit 2025, si rezidencë artistësh, pas një periudhe të gjatë planifikimi dhe dekadash izolimi të plotë.

Hapja ndodhi rastësisht në prag të 11 prillit, ditës së vdekjes së diktatorit paranojak, por fakti që qytetarët ende nuk kanë qasje të lirë në ish-rezidencën e tij nuk është rastësi. Vizitat lejohen vetëm në raste të jashtëzakonshme.

“Vila 31” nuk fsheh sekrete të mëdha, por pamundësia për ta vizituar simbolizon raportin e Shqipërisë me atë kapitull të errët të së kaluarës. Elita politike në pushtet nuk ka interes të përballet plotësisht me të kaluarën, ndërsa shumica e qytetarëve janë të përqendruar në problemet e përditshme ekonomike.

Një milion bunkerë për një vend të varfër

Gjatë sundimit të tij, Enver Hoxha e shndërroi Shqipërinë në një nga vendet më të izoluara në botë. Jashtë saj, emri i tij u bë sinonim me një formë unike diktature – atë që u rrethua me bunkerë.

Në vend që të ndërtonte banesa apo infrastrukturë, Hoxha ndërtoi bunkerë në çdo cep të vendit. Rreth një milion bunkerë prej betoni në një vend me vetëm tre milionë banorë – dëshmi e çmendurisë totalitare të një njeriu që përsosi frikën si instrument pushteti. Ai ndërtoi një version ekstrem të komunizmit, që nuk ekzistonte më askund tjetër, dhe qëndroi në pushtet më gjatë se çdo diktator tjetër komunist në Evropë.

Ai e ndërtoi kultin e personalitetit jo vetëm mbi ideologjinë dhe sundimin diktatorial, por edhe mbi aftësinë për të ndërprerë lidhjet me të gjithë aleatët, shkruan “Deutsche Welle”.

Lamtumira me “vëllezërit e mëdhenj”

Ai ndërpreu marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos, më pas me Bashkimin Sovjetik, dhe në fund me Kinën, duke i akuzuar të gjithë për “tradhti ndaj mësimeve të vërteta të Stalinit”. Kështu, i çoi shqiptarët drejt izolimit total dhe varfërisë ekstreme, duke besuar se socializmi i tij do të funksiononte pa botën e jashtme.

Analistët mendojnë se paranoja e tij u shtua edhe më shumë me përkeqësimin e sëmundjes së diabetit.

Hoxha themeloi Partinë Komuniste të Shqipërisë në nëntor të vitit 1941, me ndihmën e komunistëve jugosllavë. Dy vjet më vonë u bë udhëheqës i saj dhe e mbajti atë pozitë deri në vdekje.

Shkëputja me Jugosllavinë ishte pothuajse e pashmangshme: Hoxha ëndërronte një shtet kombëtar shqiptar që do të përfshinte edhe Kosovën, ndërsa Tito kishte vizionin e një federate ballkanike me Bullgarinë dhe Shqipërinë, nën udhëheqjen e vet.

Më pas, Hoxha guxoi të shkëpuste lidhjet edhe me “vëllain e madh”, Bashkimin Sovjetik. Pas fillimit të de-stalinizimit nga Nikita Hrushovi në vitin 1956, Hoxha u pozicionua kundër tij. Për të, Stalini mbeti “masa e çdo gjëje” deri në fund të jetës. Historianët ende debatojnë nëse kjo ishte vetëm një arsye për të larguar ndikimin sovjetik nga Shqipëria.

Aleanca e radhës ishte me Kinën, që e ndihmoi Shqipërinë me rreth 5 miliardë dollarë. Por pas vdekjes së Mao Ce Dunit, Hoxha ndërpreu edhe këtë lidhje në vitin 1978, duke thënë se nuk mund të mbështeste “politikat e reja” të Pekinit. Kjo e rrëzoi në gjunjë Shqipërinë ekonomikisht.

Një vizitor i pazakontë nga Gjermania

Në përpjekje për të forcuar pushtetin, Hoxha kërkoi mbështetje edhe nga vende që s’kishin lidhje me ideologjinë e tij. Në gusht 1984, ai priti në Tiranë kryeministrin bavarez Franz Josef Strauss, të cilin më parë e kishte quajtur publikisht “revanshist”.

Strauss, megjithëse anti-komunist i zjarrtë, kishte zakon të bënte marrëveshje fitimprurëse edhe me regjime komuniste. Vizita mbeti e mbuluar nga sekreti dhe deri sot nuk dihet saktësisht për çfarë biseduan.

Pse shqiptarët nuk u rebeluan?

Shumë pyesin pse shqiptarët e ndoqën regjimin pa rezistencë. Deri në rënien e sistemit në vitin 1990, në Shqipëri nuk pati lëvizje disidente, si në vendet e tjera komuniste.

Hoxha nuk i toleronte aspak. Reagimet e para rebeluese shtypeshin menjëherë me represion brutal, të krahasueshëm vetëm me kohën e Stalinit në Bashkimin Sovjetik.

Shoqëria shqiptare ishte ende e bazuar në strukturat fisnore dhe mungesa e anonimitetit, madje edhe në qytete, e bënte çdo kundërshtim të pamundur.

Dënimi me vdekje për një Bibël

Elita civile e para luftës u shkatërrua pothuajse plotësisht nga Hoxha. Ai donte që Shqipëria të bëhej shteti i parë ateist në botë. Besimtarët u përndoqën ashpër, sidomos katolikët në veri. Vetëm posedimi i një Bible mund të ndëshkohej me vdekje.

Mijëra njerëz u zhdukën pa gjurmë dhe fati i tyre mbetet i panjohur. Deri në momentet e fundit të jetës, Hoxha drejtoi personalisht spastrimet politike, ku shumë njerëz – zakonisht ish-aleatë apo intelektualë – u ekzekutuan ose u internuan.

“Populli–Partia–Hoxha”

Në anën tjetër, kulti i tij personal ishte i gjithanshëm, i krahasueshëm vetëm me atë të Stalinit apo Maos.

Parulla si “Rroftë Enver Hoxha” apo “Populli–Partia–Hoxha” ishin kudo: në postera, pankarta, madje edhe të gdhendura në kodra që të shiheshin nga larg.

Nxënës i dobët nga një familje e mirë

Enver Hoxha lindi më 16 tetor 1908 në Gjirokastër. Mbaroi gjimnazin francez në Korçë dhe më pas mori bursë nga Mbreti Zog I për të studiuar në Montpellier e Paris, ku u ndikua nga idetë komuniste. Sipas bashkëstudentëve, nuk i përfundoi studimet.

Më vonë, studioi juridik në Bruksel dhe punoi si sekretar në konsullatën shqiptare. Pas kthimit në vend, u bë mësues frëngjishteje dhe më vonë hapi një duhanore në Tiranë.

Pas pushtimit italian të Shqipërisë në vitin1939, Hoxha u fut në ilegalitet dhe u bashkua me partizanët e Titos kundër pushtuesve italianë e gjermanë. Ai u martua me Nexhmije Hoxhën, me të cilën pati dy djem dhe një vajzë. Vdiq më 11 prill 1985, në moshën 76-vjeçare në Tiranë.

Çfarë ndodhi pas vdekjes së tij?

Pas vdekjes së Hoxhës, shumë shqiptarë shpresuan se vendi do të çlirohej nga izolimi. Në Bashkimin Sovjetik kishte ardhur në pushtet Gorbaçovi dhe kishte nisur ‘perestroikën’ (ristrukturimin), por në Shqipëri asgjë nuk ndryshoi.

Enver Hoxha u varros me nderimet më të larta, dhe shumë njerëz qanë publikisht – megjithatë, sot është e vështirë të thuhet nëse ato ndjenja ishin të sinqerta.

Pas vdekjes së tij, izolimi vazhdoi edhe për pesë vite të tjera. Pasuesi i tij, Ramiz Alia, vazhdoi ta adhuronte figurën e Enverit, duke ngritur monumente në nder të tij.

Monumenti më i madh, i vendosur në qendër të Tiranës, u rrëzua pas protestave të mëdha më 20 shkurt 1991 – një moment simbolik i fundit të epokës së diktaturës.

Sot, të gjitha këto ngjarje duken si pjesë e një historie të largët.

Qindra mijëra shqiptarë u larguan nga vendi në vitet ’90, dhe brezi i ri nuk ka më lidhje emocionale me atë periudhë. Kur politikanët e sotëm flasin për “të kaluarën e dhimbshme”, zakonisht nënkuptojnë dëshirën për ta lënë pas, jo për ta përballur. (Koha Ditore)