Ballina Politika Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit i kundërpërgjigjet Edi Ramës me tre pyetje

Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit i kundërpërgjigjet Edi Ramës me tre pyetje

42
0

Lëvizja Vetëvendosje i është kundërpërgjigjur kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas komenteve të shefit të qeverisë shqiptare ndaj një komunikate të LVV-së të lëshuar të mërkurën.

Pasi Rama e tha se Vetëvendosje po i “ngatërron marrëdhëniet institucionale me çorbën e balotazheve komunale”, partia e kryeministrit në detyrë Albin Kurti e ka ballafaquar me pyetje të tjera kryeministrin shqiptar.

“Kryeministri Rama mund të përpiqet të nxirret me eskivazhe të padenja e përshtypje personale, ose mundet edhe të adresojë dhe përgjigjet shkurt e saktë në pikat kryesore që përmban deklarata e Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, thuhet në një deklaratë të lëshuar sot nga zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.

“1. Ka ardhur apo jo me helikopter në Kosovë për të bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale? Pra, a e ka mbështetur dhe shtyer ai themelimin e Gjykatës Speciale?”, pyeti Vetëvendosje, Ramën.

“2. Cili ka qenë dhe vazhdon të jetë qëndrimi i LVV rreth Gjykatës Speciale? E ka votuar dhe mbështetur, apo e ka refuzuar dhe është përndjekur duke protestuar kundër themelimit të saj?”.

“3. Në cilat raste dhe në cilat data, në cilat organizata ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, apo pjesëmarrëse në takimet zyrtare, Rama ka ngritur shqetësimet e tij rreth padrejtësisë që po i bëhet Kosovës në Hagë? Kur i ka ngritë këto shqetësime në OKB, kur në Këshillin e Evropës, kur në OSBE dhe kur në NATO?
Të tjerat janë vetëm për konsum personal e madje as për konsum të brendshëm politik”, pyeti VV-ja Ramën.

LVV-ja tha se të mërkurën në komunikatë se qeveria shqiptare ka mundësi që çështjen e Gjykatës Speciale “ta ngrejnë në forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin ‘Skënderbe’ në Tiranë”.

Por, në një reagim të enjten, kryeministri Rama tha se ai, për dallim nga Vetëvendosje, e ka denoncuar “kurdo dhe kudo” siç tha ai, farsën ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim”, shkroi Rama në një postim në X.

Kryeministri shqiptar kujtoi se para dhjetë vjetësh, kur LVV-ja thotë se Rama donte themelimin e Gjykatës Speciale, partia e Kurtit “nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë”.