Seanca gjyqësore në kuadër të procesit “Plumbi i Artë” po vijon këtë të enjte (16 tetor) në GJKKO ku në fokus është dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erjon Alibej.
Alibej po i përgjigjet pyetjeve të avokatëve, duke bërë deklarata tronditëse mbi përfshirjen e tij në disa prej ngjarjeve më të rënda kriminale të viteve të fundit.
Në dëshminë e tij para togave të zeza, Alibej pranoi përfshirjen e drejtpërdrejtë në disa vrasje të bujshme: “Jam financues në vrasjen e Dorjan Shkozës. Jam pjesëmarrës në vrasjen e Besian dhe Viktor Haxhisë. Jam pjesëmarrës në vrasjen e Emiljano Ramazit dhe Regis Runajt. Dhe në vrasjen e Bujar Çelës”.
Ai rrëfeu gjithashtu se ka pasur precedentë penalë të mëparshëm: “Kam qenë i dënuar më parë për trafik droge, në vitet 2010-2011. Për këtë çështje jam arrestuar dhe kam dalë nga burgu në 2013. Kemi qenë një grup i dënuar për këtë çështje, mes tyre dhe vëllai im i ndjerë.”
Alibej shpjegoi motivin pas atentatit ndaj Dorjan Shkozës, duke e lidhur atë me hakmarrjen për vrasjen e familjarëve të tij: “Vrasjen e Dorjan Shkozës e kërkova sepse me çdo kusht doja Talo Çelën. Nga komunikimi që unë kisha me Nuredinin, unë disa persona nuk i njihja që ishin pjesëtarë në vrasjen e familjarëve të mi. E mësova nga Nuredin Dumani që Dorjan Shkoza ka marrë pjesë në ekzekutimin e familjarëve të mi.”
Më tej, ai shprehu besimin që kishte ndaj dëshmive të Dumani-t: “Nuredin Dumani më dukej i besuar sepse më korespondonin të dhënat. Nuredini Dumani nuk më tregoi ndonjë dokument për Dorjan Shkozën, por thëniet e tij më bindën. Lidheshin rrethanat, sepse Nuredini më tha kanë qenë dy makina. Ndaj familjarëve të mi është qëlluar me dy automjete.”
Ndërsa për një tjetër ngjarje të rëndë kriminale, vrasjen e Anxhelo Avdias, ai tha: “Për vrasjen e Anxhelo Avdias e mora vesh përmes televizorit, mos gaboj. Nuk kisha dëgjuar më parë për Anxhelo Avdianë. Nuredini më tha që ai ishte pjesë e grupit kundërshtar, i Talo Çelës.”
Në dëshminë e tij, Alibej foli edhe për përdorimin e aplikacionit të koduar të komunikimit: “EncroChat-in e kam përdorur që kur është hedhur në treg. Rreth vitit 2016-2017 e kam nisur përdorimin.”