Negociatat për një rritje rroge për Ousmane Dembele, fituesin e saposhpallur të Topit të Artë dhe sulmuesin lider të Paris Saint-Germain, kanë hasur në vështirësi, raporton L’Equipe, pasi klubi po i jep përparësi disiplinës financiare.
Pas natës triumfuese në Paris, ku 27-vjeçari konfirmoi statusin si lojtari më i mirë në botë, bisedimet mes përfaqësuesit të tij, Moussa Sissoko, dhe këshilltarit sportiv Luis Campos nisën menjëherë.
Kampi i Dembeles, i nxitur nga statistikat mbresëlënëse të sezonit të kaluar – 35 gola dhe 16 asistime në 53 ndeshje, që ndihmuan PSG-në të fitojë tituj, kërkon një kontratë që pasqyron nivelin e tij elitar.
Aktualisht, ai fiton pak më shumë se gjysmën e 30 milionë eurove neto në vit që përfitonin më parë Neymar dhe Lionel Messi.
PSG, megjithatë, mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj, duke e parë suksesin e Dembeles si pjesë të një përpjekje kolektive.
Klubi refuzon të bëjë përjashtime, sidomos ndërkohë që është në proces rinovimesh me talentë të rinj si Bradley Barcola, Ëillian Pacho dhe Mahamadou Mayulu.
Sipas L’Equipe, drejtuesit e PSG-së duan të kontrollojnë ritmin e negociatave për të shmangur presionet nga kampi i lojtarit, të vetëdijshëm për kufizimet që vijnë nga rënia e të ardhurave nga të drejtat televizive dhe nga mbikëqyrja e UEFA-s për rregullat e Fair Play Financiar.
Pavarësisht një viti të suksesshëm financiarisht, buxheti i klubit nuk mund të përballojë kërkesat e Dembeles, edhe pse PSG e pranon rolin e tij vendimtar në fushë dhe ndikimin në dhomën e zhveshjes.