Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku njofton se nesër dhe pasnesër, përkatësisht në datat 17 dhe 18 Tetor, kalimi në “Rrugën e Kombit” do të jetë pa pagesë. Ky vendim është marrë për protestën që do të zhvillohet nesër në kryeqytetin e Shqipërisë.
“Rruga e Kombit pa pagesë në datë 17 Tetor. “Lira ka emër – Drejtësi për çlirimtarët”, bashkohemi në Tiranë për drejtësi, dinjitet dhe të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës”, njofton Balluku.
Ndërkohë, jo vetëm ardhja e veteranëve dhe shqiptarëve të trevave do te jetë falas, por edhe kthimi, për të gjithë ata që duan që në datë 18 Tetor të kthehen pas, në Kosovë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe në Luginë.
Organizata e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka njoftuar se nesër në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, do të mbahet një protestë mbarëkombëtare në mbështetje të luftës së UÇK, për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e saj që po përballen me drejtësinë në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në një konferencë për media, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në protestë ka qenë shumë i madh dhe se nga Kosova do të nisen mbi 60 autobusë me qytetarë. Gjithashtu, pjesëmarrje pritet dhe nga shtetet e tjera.
Protesta e 17 tetorit në Tiranë vjen pas dy protestave të mëdha të organizuara më parë në Prishtinë dhe Hagë, ku mijëra qytetarë kërkuan lirimin dhe drejtësinë për ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.