Prezenca e Qiriakos Micotaqis në samitin e paqes për Gazën që u mbajt në Egjipt dhe rreshtimi krah Rexhep Taip Erdogan, thuajse me detyrim nga ana e Donald Trump është bërë “mollë sherri” në Parlamentin e Athinës.
Kreu i ekzekutivit helen u përplas me liderin e partisë opozitare PASOK, Nikos Andrulaqis, pas sulmeve në kontekstin e debatit mbi politikën e jashtme.
“Po e bëj vendin tim të fortë dhe po sigurohem që të mos jetë më ai pleh që ishte nën udhëheqjen e SYRIZA-s”, tha Micotaqis, duke iu drejtuar më pas Andrulaqis me pyetjen: “A do ta kapnit ju Trumpin prej jake dhe t’i thoshit ‘jo, po kthehem z. Trump’?”.
“Zoti Andrulaqis, folët për ‘natyrë të qetë’. Pyes veten: nëse nuk do të na kishin ftuar, çfarë do të kishit thënë? A ju shqetësoi prania në skenë? Po të ishit në vendin tim, çfarë do të kishit bërë? A do ta kishit kapur Trumpin për jake dhe t’i kishit thënë: ‘Jo, po kthehem, z. Trump?’”, tha shefi i qeverisë greke.
Micotaqis më tej mbrojti qëndrimin e Greqisë mbi çështjen palestineze, duke vënë në dukje se vendi mbështet fuqimisht zgjidhjen me dy shtete, “me shtetin palestinez që bashkëjeton në paqe me Izraelin”.
“U habita që asnjëri prej jush nuk e përmendi sulmin çnjerëzor kundër të rinjve izraelitë, i cili ishte arsyeja e përshkallëzimit të krizës. E kam thënë qartë se reagimi i Izraelit i tejkaloi të gjitha kufijtë, sulmi ndaj civilëve dhe fëmijëve nuk është i justifikuar. A nuk e keni dëgjuar këtë nga unë? A po e dëgjoni për herë të parë tani?”, vuri në dukje ai.
Micotaqis u ndal edhe tek njohja e shtetit palestinez nga Franca, duke thënë se kjo nuk përbënte asnjë ndryshim dhe i bëri thirrje kreu të PASOK që të ishte i kujdesshëm kur i referohej presidentit amerikan.
“Stili i zotit Trump mund të jetë i çuditshëm, por ai është presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara dhe një partner strategjik i atdheut tonë”, tha ai. (A2)