Policia e Tiranës ka ndërmarrë një plan masash në lidhje me disa aktivitete që do të zhvillohen në kryeqytet përgjatë këtyre tre ditëve.
Në këtë kuadër, policia informon qytetarët se: do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në Bulevardin e Ri, gjatë zhvillimit të tubimit të sotëm në sheshin “Skënderbej”, konkretisht prej orës 17:00 deri rreth orës 19:00.
Ndërkohë më datë 18.10.2025, gjatë aktivitetit “Maratona Fan Run”, nga ora 09:00 deri në 11:00, do të kufizohet lëvizja në segmentin nga sheshi “Nënë Tereza” deri te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Policia njofton më tej se më datë 19.10.2025, gjatë aktivitetit sportiv “Maratona e Tiranës 2025”, do të ketë kufizim të qarkullimit të automjeteve nga ora 08:00 deri në 16:00, në zonat/segmentet rrugore: sheshi “Nënë Tereza”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ismail Qemali”, bulevardi “Bajram Curri”, kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, rruga “George W. Bush”, rruga “Abdi Toptani”, bulevardi “Zog I”, Bulevardi i Ri, rruga “Ded Gjo Luli”, Rruga e “Durrësit”, Rruga e “Kavajës”, rruga “Myslym Shyri”, bulevardi “Zhan D’Ark” (nga ura e Gjykatës deri te ura e “Taiwan”), bulevardi “Bajram Curri” (nga ura e Gjykatës së Rrethit deri te ura e “Taiwan”), rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Lek Dukagjini”.
Gjithashtu, policia informon qytetarët se për të garantuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, itinerari i mjeteve të transportit urban, do të pezullohet përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshit “Nënë Tereza”, si dhe në të gjitha segmentet rrugore që kryqëzohen me itinerarin e sipërcituar, nga ora 08:00 deri në 16:00, të datës 19.10.2025.
Më tej, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve për transport të përzier, teknologjik dhe atyre për transport pasagjerësh (përveç mjeteve të transportit urban qytetas), në brendësi të Unazës së Madhe, më datë 19.10.2025, nga ora 08:00 deri në 16:00.
Informojmë se qarkullimi i mjeteve të Emergjencës dhe i Policisë së Shtetit do të vijojë normalisht në të gjitha itineraret e lartpërmendura.
Policia e Tiranës fton qytetarët që të shmangin lëvizjen me mjete, në zonat ku do të ketë kufizime, të përdorin rrugë alternative dhe të respektojnë udhëzimet e punonjësve të Policisë, në terren.







