Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në Shqipëri u rrit me 2,3% në shtator 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Ky ritëm mbetet brenda objektivit të stabilitetit të çmimeve, por tregon një lëvizje të theksuar në disa grupe mallrash e shërbimesh, të ndikuara nga sezoni turistik dhe fillimi i vitit shkollor.
Rritja më e madhe vjetore u regjistrua në grupin “Argëtim dhe kulturë”, me një rritje prej 8,8%, duke reflektuar çmime më të larta për aktivitetet kulturore dhe produktet rekreative. Pas tij renditet grupi “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,0%, çka lidhet me çmimet e larta në shërbimet e akomodimit dhe gastronomisë. Po ashtu, “Pije alkoolike dhe duhan” u rritën me 3,5%, ndërsa “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Shërbimi arsimor” shënuan nga 2,7% secili.
Në drejtim të kundërt, çmimet e transportit ranë me 0,7%, duke zbutur disi ndikimin total të inflacionit të harmonizuar.
Nga ana tjetër, ndryshimi mujor (krahasuar me gushtin 2025) ishte +0,7%, i ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve në grupin “Shërbimi arsimor” me 2,0%, pasuar nga “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, me 1,0% secili. Po ashtu, rritje mujore u shënua edhe në “Veshje dhe këpucë” (0,9%), “Argëtim dhe kulturë” (0,8%) dhe “Mobilim dhe pajisje shtëpie” (0,6%).
Sipas strukturës së peshës së grupeve, ushqimet dhe pijet joalkoolike mbeten faktori me ndikimin më të madh në shportën e konsumit, duke përfaqësuar mbi 34% të peshës totale, ndjekur nga shërbimet hoteliere dhe restorantet (14,9%) dhe qiratë, energjia dhe ujësjellësi (5,6%).
Në analizë të detajuar, grupet që kanë kontribuar më shumë në inflacionin vjetor janë “Shërbimi arsimor” me +0,60 pikë përqindje; “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,59 p.p.; “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,39 p.p., ndërsa transporti ka dhënë një kontribut negativ prej -0,05 p.p.
Në shifra, ndryshimi vjetor (shtator 2025 / shtator 2024): +2,3%, ndryshimi mujor (shtator / gusht 2025): +0,7%. Grupi me ndikimin më të madh është “Argëtim dhe kulturë” (+8,8%), ndërsa grupi me rënie: “Transporti” (-0,7%)
Ky zhvillim tregon një stabilizim gradual të çmimeve, pas presioneve të larta inflacioniste të viteve të kaluara, ndërsa tendenca sezonale në arsim, turizëm dhe argëtim mbeten faktorë përcaktues për dinamikën mujore të çmimeve.