Ballina Rajoni Mediat e Beogradit festojnë: Parlamenti shqiptar refuzon rezolutën për gjenocidin serb në...

Mediat e Beogradit festojnë: Parlamenti shqiptar refuzon rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë

25
0

Mediat serbe kanë vlerësuar vendimin e mazhorancës së Edi Ramës në parlamentin shqiptar për të refuzuar një rezolutë që dënon gjenocidin serb në Kosovë.

Gazeta serbe Telegraf shkruan se nuk kaloi rezoluta për të ashtuquajturin gjenocid në Kosovë.

“Gjatë seancës plenare, parlamenti i Shqipërisë nuk e miratoi kërkesën e paraqitur nga Partia Demokratike për miratimin e një rezolute që dënon gjenocidin e supozuar serb në të ashtuquajturën Kosovë. Detajet e votimit nuk u publikuan, por kërkesa u refuzua. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se Shqipëria duhej ta kishte miratuar menjëherë rezolutën e Kosovës për njohjen e gjenocidit serb,” shkruan gazeta.

Telegraf citon edhe liderin e opozitës shqiptare, Sali Berisha, i cili deklaroi se Edi Rama është një shërbëtor i Vuçiçit.

“Si mund të shkelë një shqiptar mbi faktet për gjenocidin? Ju e bëni këtë sepse udhëheqësi juaj është shërbëtor i Vuçiçit. Ju duhet të reagoni ndaj gjenocidit, si mund të jeni kaq të pandjeshëm ndaj një prej temave më të rëndësishme të vetëdijes njerëzore dhe kombëtare”, tha Berisha.

Kërkesa e Partisë Demokratike për të mbajtur një debat mbi miratimin e rezolutës për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë shkaktoi debat midis qeverisë dhe opozitës në parlament, shkruan gazeta.

Edhe agjencia e madhe serbe, Beta i ka bërë jehonë këtij lajmi.

“Parlamenti i Shqipërisë ka hedhur poshtë një kërkesë të Partisë Demokratike (PD) për të miratuar një rezolutë që dënon, siç thuhet, “gjenocidin e Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë”. Vota për këtë propozim nuk u njoftua në detaje, por propozimi u rrëzua”, shkruan agjencia.

Beta raporton se rezoluta u rrëzua teksa “Tirana po përgatitet për një protestë masive mbarëshqiptare të planifikuar për sot në solidaritet me ish-udhëheqësit e “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” (UÇK) që janë në gjyq në Hagë”.

“Njoftimi për tubimin, të organizuar nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka shkaktuar tensione politike midis kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ndërsa institucionet e Kosovës, përfshirë Presidenten Vjosa Osmani, gjithashtu e kanë mbështetur protestën. Vetëvendosja kundërshton organizimin e kësaj proteste nga Rama, duke e akuzuar atë se gjoja ka mbështetur Gjykatën Speciale në atë kohë, ndërsa Rama kundërpërgjigjet se i vjen keq që LVV “po i përzien marrëdhëniet institucionale të Kosovës dhe Shqipërisë me raundin e dytë të zgjedhjeve lokale”,” shkruan agjencia.