Një vilë në Torre a Mare dhe mbi 100,000 euro cash. Kjo është pasuria e tundshme dhe e patundshme që i sekuestroi Drejtoria Hetimore Antimafia, Massimiliano Fiore-s, një 47-vjeçari të lidhur me kartelet shqipfolëse të trafikut të dogës mes aksit Itali-Shqipëri, dhe i dënuar nga drejtësia.
Fiore është aktualisht në burg pas arrestimit të tij në një operacion më 21 maj, në lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Sipas hetimit, pasuritë e 47-vjeçarit lidheshin me tregtinë e drogës, veçanërisht kokainës dhe heroinës, me origjinë nga Shqipëria dhe që drejtoheshin për në Puglia. Bazuar në gjetjet e hetuesve, burri ishte lidhja midis klanit Palermiti nga lagjja Japigia dhe grupeve shqiptare që shisnin lëndët narkotike të importuara në Itali.
Fiore, sipas prokurorisë, siguroi gjithashtu “mbrojtjen” e palermitanëve për ta, duke i lejuar ata të shisnin drogë në komunat e provincës nën ndikimin e klanit.
Operacioni, i quajtur “Ura”, çoi në ekzekutimin e masave paraprake në Itali, Belgjikë dhe Shqipëri kundër 52 personave, të akuzuar jo vetëm për trafik ndërkombëtar droge, por edhe për pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Sekuestrimi, i kërkuar nga Drejtoria e Antimafias së Qarkut, është pjesë e një përpjekjeje të gjerë hetimore të kryer nga Drejtoria e Antimafias së Barit dhe autoritetet e Tiranës, që synon luftimin e trafikut të drogës nga organizatat kriminale shqiptare, informon media italiane.